Ish-kryeministri Sali Berisha sa herë që i jepet mundësia nuk i kursen sulmet për pasardhësin e tij Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në “News24” Berisha deklaroi se tokën në Surrel, Rama nuk e kishte blerë, edhe pse pohoi se e kishte marrë 2 dollarë për metër katror, por se ia kishte dhuruar vjehrri i një deputeti.

“Çfarë fytyre ka Fatmir Xhafaj t’u kërkoi 10 mijë policëve; nëse ke pirë kafe me ndonjë trafikant. Ça fytyre ka Xhafaj tju kërkojë qindra gjyqtarëve kur Rama mori pallatin në pajë?! Ai e ka deklaruar 2 dollarë metri katror. Atë historinë e tokës e di unë. E di madje edhe kush ia ka falur. E ka marrë dhuratë. Por e ka deklaruar se e ka blerë 2 dollarë. Po nuk mund të pranojë 5 mijë metra katorë. Gruaja e tij ka qenë drejtoreshë në administratën time. Tokën nuk e mori Linda. Ai ka bërë gënjeshtra. Toka iu fal Ramës nga vjehrri i një deputeti. Linda e ka marrë përsipër, në mënyrë skandaloze me 2 dollarë”, tha Berisha.

Mes të tjerash, Berisha nuk kurseu akuzat për vëllain e Ramës, që sipas tij ka blerë një hotel në qendër të Tiranës.

“6 muaj më parë më thonë mua që ky hoteli X po fut një sasi lekësh Olsi Rama dhe Gaz Demi. Unë këtë e them në parlament. Kur pas 6 muajsh del se kunati i Gaz Ramës po blen Hotelin. Këto janë paratë e Olsi Ramës në mënyrë absolute. Le ta blinte 100 herë edhe Gazi dhe stërgazi, por mos të futej thika pas shpine për shqiptarët. Rama tha se do ta bëj 6 % TVSH për hotelet me 5 yje. 5 yje ishte Sheratoni, e përzuri. Plazën e bleu. Po ta bësh me 6 % TVSH do ua bësh hoteleve të Thethit, që funksionojnë 3 muaj, të Valbonës, që mezi mbijetojnë. Po t’ja bësh ti hoteleve në qendër të Tiranës, se ia ka vënë syrin Olsi Rama, ky është krim i shëmtuar. Ndaj e kam denoncuar. Personi që ma tha është i sigurt”, tha Berisha.