09/07/2013 - 16:02
TIRANE, 9 korrik 2013 – Kryeministri i vendit Sali Berisha uron besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Përmes një mesazhi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social facebook, Berisha u dëshiron të gjithë përballim me sukses të misionit të tyre të agjerimit në këto ditë të nxehta vere.
“Të dashur miq, sot fillon muaji i madhnushëm i agjërimit, në të cilin besimtarët sakrifikojnë me qëllim pastrimin e shpirtit për besimin tek Zoti dhe vlerat më të larta njerëzore dhe hyjnore. Me këtë rast unë uroj të gjithë besimtarët myslimanë që këto ditë përvëluese dhe netë të nxehta të agjerojnë që sakrifica e tyre të pranohet nga krijuesi i gjithësisë dhe të sjellë paqe, të mira e mbarësi në familjet e tyre si dhe për mbarë shqiptarët. Uroj që Zoti t’i përkëdhelë Shqipërinë dhe shqiptarët me mëshirën dhe dashurinë e tij!”- thuhet në mesazhin e urimit të kryeministrit Sali Berisha.
/portali DurresLajm/