Biberaj: Pas Vlorës, FRD vjen në Durrës

11/06/2012 - 00:00

Formacioni më i ri politik po përgatitet të krijojë degën e Durrësit. FRD po shton rradhët e saj me anëtarë që vijnë nga Partia Demokratike, por dhe nga forca të tjera politike, ku nuk mungojnë edhe ndjekësit e deritanishëm të PS-së. Të rinjtë duket se përbëjnë pjesën dërrmuese të anëtarësimeve. Eduart Selami është një nga figurat historike të PD-së që i është shtuar partisë më të re 

Një prej figurave kryesore të formacionit të ri të qendrës së djathtë Fryma e Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, do të komentonte për gazetën “Dyrrah” zhvillimet më të fundit të kësaj force politike, programin, vizionin dhe vendin që zë qyteti i Durrësit në objektivat politike të kësaj force të re. Biberaj bën të ditur se strukturat e kësaj partie po përgatiten për krijimin e degës së Durrësit, ndërkohë që rradhët e FRD-së po shtohen çdo ditë me anëtarë të rinj.

Kur do të krijohet dega e FRD-së në Durrës?

Shumë shpejt. Durrësi për ne është shumë i rëndësishëmdhe mund ta konsideroj pa frikë si një nga bastionet tona. Është një qytet që karakterizohet nga qytetaria, kultura dhe vizioni, karakteristika të cilat mendoj se i bëjnë më të afërt durrsakët me programin dhe vizionin tonë politik. Nga Durrësi kemi dhe një nga figurat më të rëndësishme të FRD-së siç është Gazmend Oketa, i cili është një nga përfaqësimet më të mira që mund t´i bëhet Durrësit. Përsa i përket krijimit të degës mund të them se menjëherë pas Vlorës, ku me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë duam të krijojmë degën e parë, do të krijojmë të dytën degën e Durrësit. Godina, zyrat dhe e gjithë infrastruktura janë gati. Shumë shpejt Durrësi do të ketë degën e FRD-së. Kemi zhvilluar takime intensive mes të anëtarësuarve në Tiranë dhe në rrethe, veçanërisht në Durrës.

Janë mbledhur të gjitha grupet e punës dhe po formatohen strukturat e partisë që më pas do të luajnë një funksion të rëndësishëm në organizimin e gjithë partisë nga rrethet e deri në bazë. Që nga momenti i shpalljes kemi marrë mbështetje të madhe nga e gjithë Shqipëria, kryesisht brenda vendit, por dhe nga trojet shqiptare e nga diaspora, ku janë të shumtë mbështetësit dhe simpatizantët e FRD-së. Deri më tani mund të them se janë të shumtë ata që vijnë dhe anëtarësohen në FRD, pjesa më e madhe e tyre vijnë nga partitë të tjera politike, kryesisht nga Partia Demokratike. Po mund të them që kemi parë që edhe nga Partia Socialiste apo formacionet e tjera politike. Janë të shumtë ata që janë çregjistruar nga këto parti dhe janë regjistruar në FRD. Ata që janë anëtarësuar deri tani kanë qenë kryesisht të rinj, të moshës 20-30 vjeç, çka dëshmon frymën e re që simbolizon kjo parti. Nuk mund të them një shifër ekzakte, pasi përditë shtohen formularët e plotësuar nga të rinjtë që anëtarësohen në FRD.

Çfarë mund të na thoni në lidhje me programin politik që sapo keni miratuar. Ku ndryshon ky program nga ai i forcave të tjera politike?

Në programin e saj politik Fryma e Re Demokratike është përcaktuar si parti e qendrës së djathtë, që synon ridimensionimin e këtij poli të rëndësishëm dhe implementimin e parimeve dhe rregullave të të djathtës së përparuar në jetën politike të vendit. Fryma e Re Demokratike synon njëkohësisht anëtarësimin e saj në një kohë sa më të shpejtë dhe me të drejta të plota në grupimin e Partive Popullore Europiane. Partia jonë është angazhuar të realizojë programin e saj politik duke ndërtuar një demokraci të vërtetë dhe funksionale, që buron nga parimi i shenjtë i saj, respektimi i votës së lirë të shqiptarëve. Po kështu jemi të angazhuar të garantojmë në të gjitha drejtimet, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit si dhe në dokumentet ndërkombëtare. Ajo do të jetë parti e respektimit të lirisë së mendimit dhe veprimit, dinjitetit dhe aspiratave të qytetarëve të lirë shqiptarë, respektimit të të drejtave dhe lirive të besimeve fetare, zhvillimit të vlerave më të mira të familjes shqiptare, forcimit të drejtësisë shoqërore.

Ne do të synojmë të ndërtojmë shtetin e së drejtës, duke garantuar ndarjen reale të pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve, si garanci për funksionimin demokratik të vendit. FRD është e angazhuar të konsolidojë shtetin ligjor. Qëllimi i saj madhor do të jetë hartimi dhe përafrimi i korpusit ligjor shqiptar me legjislacionin e BE-së dhe atë ndërkombëtar, forcimi dhe pavarësia e sistemit gjyqësor, si garanti i respektimit të ligjit dhe të drejtave themelore të njeriut. Ajo është e vendosur të demonstrojë se të gjithë do të jenë të barabartë përpara ligjit, duke shkëputur një herë e mirë sistemin gjyqësor nga influenca e politikës dhe korrupsionit, nëpërmjet implementimit realisht të një infrastrukture ligjore në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me legjislacionin më të mirë dhe më të përshtatshëm bashkëkohor.

Forca jonë politike është e angazhuar të nxisë, forcojë dhe të konsolidojë në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet reformave ekonomike, konkurrencën e ndershme, tregun e lirë dhe prodhimin vendas, si instrumente vendimtare në interes të zhvillimit të shpejtë të vendit, dhe të godasë monopolet dhe politikat klienteliste, si pengesa të mëdha të këtij zhvillimi, të kthejë vëmendjen tek arsimi shqiptar duke çmuar se ai ka një rol të pazëvendësueshëm në jetën shoqërore të vendit. Arsimi do të jetë objekt i një reformimi të thellë dhe të gjithanshëm, që do synojë krijimin e një armate profesionistësh të vërtetë dhe rikthimin e dinjitetit të humbur të tij, në mënyrë që të plotësojë pa asnjë lëkundje, misionin fisnik dhe kombëtar që ka. FRD është e angazhuar të zhvillojë sportin në rolin e tij si një ambasador i fuqishëm i imazhit të vendit nëpër botë, duke investuar në infrastrukturën dhe në promovimin e talenteve të ndryshme.

Përveç shpalljes si partia më e re në frontin e të djathtës, ne do angazhohemi edhe në arenën ndërkombëtare që të njihemi si forcë politike. Në arenën ndërkombëtare, FRD do të punojë me vendosmëri për të krijuar të gjitha kushtet dhe detyrimet që Shqipëria të bashkohet në mënyrë të pandashme me familjen e madhe europiane. Ajo është e vendosur të forcojë më tej marrëdhëniet me partnerët dhe aleatët tanë, SHBA dhe BE. FRD është e angazhuar gjithashtu të mbrojë fuqishëm dhe pa hezitim interesat kombëtare dhe të gjithë shqiptarët kudo në botë, duke synuar që çdo shqiptar të ndjehet krenar kudo ku gjendet. Gjithashtu, FRD angazhohet të ketë në vëmendje çdo emigrant duke kërkuar që ata të trajtohen me dinjitet në vendet ku gjenden si dhe të nxisë politika ekonomike me interes për këdo emigrant që kërkon të rikthehet dhe të investojë në Shqipëri. Në programin tonë, një vëmendje të madhe i kemi kushtuar emigracionit dhe diasporë, ku ndodhen një pjesë e madhe e shqiptarëve. Kjo është bërë duke marrë parasysh këtu se kësaj kategorie nuk i është kushtuar vëmendje, përveç rasteve kur i është nevojitur politikanëve që ta përdorin për zgjedhje. Ne do të zhvillojmë marrëdhënie  të konsoliduara me fqinjët, me respekt të ndërsjelltë dhe me dinjitet të plotë kombëtar, duke bashkëpunuar dhe kontribuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes dhe demokracisë në rajon e më gjerë.

Një nga figurat e FRD-së tashmë është dhe Eduart Islami. Si e shpjegoni faktin që kontributi i tij përsëri do të jetë nga larg Shqipërisë?

Ne jemi në kontakte me Eduard Selamin. Ai vetë është shprehur se është dakord me FRD në shumë pika të programit dhe do të bëhet pjesë e kësaj partie në momentin që do ta shohë të arsyeshme, pasi 18 vitet e largimit nga Shqipëria kanë bërë punën e vet përsa i përket vështirësisë së kthimit të tij në vend. Jo vetëm për Eduard Selamin, por FRD mund të themi që është një parti e hapur për të marrë pjesë të gjithë shqiptarët. FRD është një partie e hapur për të gjithë demokratët që kanë kontribuar gjatë 22 viteve të demokracisë dhe kanë kuptuar sesi ka funksionuar deri tani demokracia.

Si një parti e qendër së djathtë cili është vizioni juaj në lidhje me ish të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët?

Mund të them se shumë pak është bërë nga politika shqiptare për këto dy shtresa. Në programet e partive jo se ka munguar vëmendja ndaj tyre, por de facto është bërë shumë pak. Në duam që me anë të një programi realist të bëjmë maksimumin për këto shtresa. Natyrisht FRD-ja është një parti e qendrës së djathtë, por ne kemi vëmendje maksimale edhe te shtresa e mesme, ose e atyre që janë mosbesues. Po kështu FRD-ja është një partie të të rinjve dhe janë pikërisht këta të rinj dhe njerëzit me vizion të ri mbështetja më e madhe e FRD-së. Pjesa më e madhe e të anëtarësuarve janë të moshave nga 20 deri në 30 vjeç. Ne duam t´i zgjojmë besimin shqiptarëve. Në partinë tonë, natyrisht, nuk do të ketë vend për ish-sigurimsa apo figura të komunizmit.

 

 

 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një lidhje telefonike në TVSH foli për dënimin 3.4 vjet me shërbim prove nga Gjykata e Shkallës

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka është shprehur se Saimir Tahiri ka përgjuar politikanët  dhe një pjesë të Ambasadave të huaja në Ti

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili përmes një postimi në ‘Facebook’ ka sulmuar qeverinë në lidhje me drejtoreshën e Bibliotekës së Fierit

Kryetarja e Grupit të Demokratëve në Parlament, Rudina Hajdari e ka quajtur zhgënjim vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për Saimir T

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të ketë nesër një komunikim për mediat dhe qytetarët.

Nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se vendimi i mbrëmjes së kaluar që shpëtoi ish-ministri

Partia Socialiste ka reaguar për herë të parë mbi vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Ta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ambasadoren e Republikës së Kroacisë, S

Përmes një postimi në Facebook, ish-presidenti Bujar Nishani ka komentuar vendimin e dhënë mbrëmjen e kaluar nga gjykata e Krimeve të Rën