Bizhga: Qeveria po shkatërron turizmin

09/07/2012 - 00:00

 

Shërbimet e turizmit kërkojnë mund të posaçëm dhe përveç mundit të posaçëm nuk mund t’i mbijetojnë qëllimit nëse nuk janë të mbështetura dhe të koordinuara me gjithçka ndodh rreth e rrotull, gjë që është mëse evidente në zonën ku jemi. Nuk kemi ende sot e gjithë ditën një plan kombëtar zhvillimi për vendin, një plan rajonal zhvillimi për Durrësin dhe fatkeqësisht për asnjë zonë të vendit…..

Qeveria shqiptare po shkatërron turizmin në Durrës. Deputeti i PS-së, Gazmir Bizhga, ka akuzuar ekzekutivin se po shkatërron perspektivën turistike të Durrësit dhe më gjerë me papërgjegjshmërinë e treguar në drejtim të mungesës së investimeve apo mos realizimit në kohë të tyre, si dhe mos menaxhimin e mirë të të gjitha hallkave që garantojnë një sezon turistik të suksesshëm. Sipas deputetit socialist pavarësisht se,- “Durrësi është një zonë në të cilën janë hedhur faktikisht shumë kapitale dhe janë shpenzuar shumë energji për një zhvillim në emër të turizmit kapitalet financiare dhe energjitë e derdhura janë përgjithësisht të kanalizuara në rrugën e spontanitetit”. Mungesa e një plani kombëtar zhvillimi sipas Bizhgës ka krijuar një situatë dramatike ku shumë investime të kryera me destinacion turistik janë kthyer në asete rezidenciale.

Z Bizhga, si e vlerësoni nisjen e këtij sezoni të ri turistik?

Gjërat duken dhe nuk kanë nevojë për shumë koment. Shikoni me kujdes se në çfarë situate ndodhet bregdeti i plazhit të Durrësit, Shkëmbit të Kavajës deri në pjesën e Golemit. Akoma vazhdohet me derdhje të ujërave të zeza në det. Një nga investimet kryesore për kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha që duhet të përfundonte para sezonit turistik dhe që do të përmirësonte nivelin e pastërtisë në bregdet nuk përfundoi dhe situata vazhdon të jetë problematike. Qytetarët vazhdojnë të pushojnë në një bregdet me probleme përsa i përket pastërtisë së ujërave. Po kështu ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.

Nga ana e Ndërmarrjes së Ujësjellësit është deklaruar se furnizimi me ujë është garantuar. A jeni informuar në lidhje me këtë fakt?

Ka një ndryshim të madh mes asaj që thuhet dhe asaj që është në realitet. Fakt është që në zona të caktuara të plazhit të Durrësit ka probleme përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.

A mendoni se pushteti lokal po e kryen si duhet detyrën e tij?

Sigurisht. Bashkia po bën detyrat e saj, por problemet e kanalizimeve dhe furnizimit me ujë të pijshëm janë të qeverisë.

Si e shpjegoni z.Bizhga që pavarësisht kritikave tuaja, Shqipëria është një ndër 10 destinacionet më atraktive turistike?

Shqipëria është një vend i bukur, por kjo qeveri nuk di të menaxhojë burimet turistike që ka vendi, pasi para interesave të vendit vë interesat e klaneve qeveritare që kanë synim të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Propaganda e Berishës nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të larguar shqiptarët nga problemet e vërteta që ka vendi në përgjithësi dhe turizmi shqiptar në veçanti. Si mund të ketë perspektivë turistike Durrësi me këtë qeveri që do të sjellë plehrat e Europës në këtë vend, me këtë qeveri që kërkon ta kthejë veriun e qytetit të Durrësit në një zonë centralesh dhe TEC-esh tymi i të cilave do të largojë jo vetëm turistët, por edhe qytetarët nga qyteti i tyre. Mjafton vetëm kaq për të kuptuar se ku do ta çojë qeveria Berisha turizmin në Durrës.Durrësi është një zonë në të cilën janë hedhur faktikisht shumë kapitale dhe janë shpenzuar shumë energji për një zhvillim në emër të turizmit. Por, si kudo edhe këtu, në këtë fushë, kapitalet financiare dhe energjitë e derdhura janë përgjithësisht të kanalizuara në rrugën e spontanitetit.

Nuk kemi ende sot e gjithë ditën një plan kombëtar zhvillimi për vendin, një plan rajonal zhvillimi për Durrësin dhe fatkeqësisht për asnjë zonë të vendit. Ajo që ka ndodhur është dramatike, sepse në të shumtën e herës investimet e kryera me destinacion turistik janë kthyer në asete rezidenciale. Nga njëra anë, shërbimet e turizmit kërkojnë mund të posaçëm dhe përveç mundit të posaçëm nuk mund t’i mbijetojnë qëllimit nëse nuk janë të mbështetura dhe të koordinuara me gjithçka ndodh rreth e rrotull, gjë që është mëse evidente në zonën ku jemi. Nga ana tjetër, mungesa e një rendi ligjor dhe e një strukture apo e një pune të strukturuar të shtetit për t’i ndjekur këto investime gjatë realizimit dhe më pas në proçesin e transformimit në shërbime ka qenë kaq e madhe, dhe mbetet kaq e madhe, saqë fati i asnjë investimi të kësaj natyre nuk është i parashkruar. Gjithsesi, pavarësisht dëmeve të jashtëzakonshme që janë shkaktuar gjatë gjithë këtyre viteve dhe pavarësisht kaosit në të cilit tashmë është zhytur Shqipëria, për shkak të një zhvillimi të paqëndrueshëm edhe në këtë sektor strategjik Shqipëria mbetet një vend me një potencial të madh për zhvillimin e turizmit, natyrisht me largimin e qeverisë Berisha.

Si e vlerësoni propozimin e fundit për zbutjen e moratoriumit?

Ne jemi për heqjen e moratoriumit. Sot ne flasim për turizëm të detit dhe të rërës, më saktë do të thosha për turizëm të bregdetit, dhe disponojmë të vetmin segment të bregdetit në Mesdhe të bllokuar për mjetet lundruese. Një absurditet i mbështetur mbi një arsye që s’është arsye për gjoja luftën kundër trafiqeve, sepse është njësoj si të thuash që në mënyrë që të mos kemi krime më mirë po i fusim të gjithë njerëzit në burg dhe po i izolojmë nga njëri tjetri, kështu që garantojmë kriminalitet zero në të gjithë territorin. Futja praktikisht në burg e të gjitha mjeteve lundruese dhe futja në burg e vetë detit si një faktor themelor në ekonominë e një vendi si Shqipëria që ka një masë të konsiderueshme dalje në det është një politikë literalisht e çmendur dhe me një vizion që e dëmton rëndë turizmin.



 

Agasi: Në vjeshtë do zyrtarizohen lëvizjet e rradhës

Ndonëse nuk e pranon se ka rolin e protogonistit në Lëvizjen Nano, një prej ish-figurave kryesore në degën e PS-së së Durrësit, Bardhyl Agasi, ka deklaruar se gradualisht Lëvizja Nano po gjen një terren të shëndetshëm për t’u zhvilluar në qytetin bregdetar. Sipas tij,- “nga kontaktet e para me anëtarë dhe simpatizantë të PS-së, por edhe me qytetarë durrsakë kam rezultuar se përkrahja për këtë lëvizje do të jetë më shumë se sa parashikohej”. Ndër emrat kryesorë të protagonistëve të kësaj lëvizje në Durrës evidentohen dhe ato të Zihni Beqirajt, Paqsor Zenelit etj. Agasi më tej është shprehur se,- “ndryshe nga sa është komentuar kjo lëvizje nuk synon përçarjen e PS-së, por përkundrazi synon bashkimin e të gjitha energjive pozitive në një të vetme për të garantuar fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe unifikimin e partisë”. Sipas tij,- “Partia Socialiste lëngon për një kohë të gjatë dhe nuk njeh asnjë fitore në shkelje statutore me gabime trashanike, siç ishte ndryshimi i Kushtetutës me një strategji që ka çuar në fërkimin e duarve të Berishës, sepse ka dalë gjithmonë ai fitues”. Përsa i përket zyrtarizimit të kësaj lëvizje në Durrës, Agasi ka deklaruar se në periudhën e verës do të vazhdojnë kontaktet me qytetarët dhe në shtator do të zyrtarizohet gjithçka për të garantuar një veprim politik që do t’i shërbejë shëndoshjes së PS-së dhe bashkimit të saj rreth idealit socialist dhe jo rreth qëllimeve pragmatiste të njerëzve të caktuar të lidershipit.



 

 

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Kryeministri Edi Rama bën me dije se qeveria shqiptare ka gati projektin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Partia Demokratike ka sulmuar ashpër kreun e Kadastrës, Artan Lame, duke e akuzuar për ndërhyrje për punësime në administratë.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka përshëndetur sot 15 shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.

Në Ditën e Demokracisë, Presidentit Ilir Meta thotë se vendi ynë është përfshirë nga  fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagan

Nënkryetari i Kuvendit, Myslym Murrizi i ftuar në emisionin “Rudina”, foli rreth detyrës së tij, si numri 2 i kuvendit.

Ish-deputeti i PD, Xhemal Gjunkshi ka reaguar pasi rreth një ton marijuanë që vinte nga Shqipëria u kap nga policia në Janinë të premten.

Petrit Vasili në një postim në Facebook, thekson se Kryeministri Rama po gënjen sërish me datën e hapjes së negociatave.

Presidenti i Republikës Ilir Meta thotë se do të japë dorëheqjen nëse Komisioni i Venecias në raportin e 11 tetorit do të shprehet se ai

Presidenti Ilir Meta ka folur në lidhje  me vendimin e tij për të anuluar datën e 30 qershorit si datë për zhvillimin e zgjedhje lokale.

Partia Demokratike, me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Edi Ramës të bërë nga Berli