Një ditë pas bllokimit në doganën greke të 10 mijë maskave që kishin destinacion Shqipërinë, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe homologët e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar me një letër Bashkimit Europian. Ato kërkojnë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian si dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet  e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19.

Kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në letrën drejtuar Presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u propozojnë Parlamentit dhe Komisionit Europian disa masa shtesë për luftën ndaj pandemisë në rajon.

“Të vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës së pandemisë COVID-19,  numrin e personave të infektuar dhe pajisjet e pamjaftueshme mjekësore të vendeve tona, sot, më tepër se kurrë, kemi nevojë për solidaritet, një qasje të koordinuar dhe veprim të përbashkët. Ndaj, kërkojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor: Të përjashtohen nga vendimi për të kufizuar eksportin e paisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian dhe të përfshihen në skemën e autorizimit të eksportit BE-së;  Të kenë akses në prokurimin e përbashkët me BE-në të paisjeve mjekësore për të luftuar pandeminë; Të  lejohen që një pjesë e fondeve  të Programit  IPA II dhe të gjitha fondet e tjera në dispozicion nga burimet  e BE-së të përdoren për të luftuar pandeminë COVID-19.  Veç masave të propozuara, në emër të parlamenteve të vendeve tona, mirëpresim çdo lloj ndihme që Bashkimi Evropian është i gatshëm të vejë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, shkruhet në letrën e kryeparlamentarëve të rajonit.

Letra është nënshkruar nga Gramoz Ruçi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë; Denis Zvizdic; Kryetar i Dhomës së Përfaqësueve të Bosnjë- Hercegovinës dhe Dragan Covic, Kryetar i Dhomës së Popujve të Bosnjë-Hercegovinës; Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit të Kosovës;  Ivan Brajovic, Kryetar i Parlamentit të Malit të Zi; Talat Xhaferi, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut; Maja Gojkovic, Kryetare e Parlamentit të Serbisë.