Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, ka reaguar pas deklaratës së bërë një ditë më parë nga Kreu i KED, Ardian Dvorani.

Ky i fundit në një deklaratë për mediat pas marrjes në pyetje në Prokurori për më rreth 3 orë, sa u pyet për bllokimin e funksionimit të KED nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, ndërsa tha se nëse kjo do të ndodhte atëherë nuk do të mund ta ushtronte më detyrën e tij.

Por lidhur me këtë fakt, Blushi shprehet se kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori nga Presidenti Meta.

Më tej zëdhënësi i kreut të shtetit sqaron se sipas ligjit, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në bazë të nenit 227 parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”.

“Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore. Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjeshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të transparencës së ushtrimit të detyrës ashtu siç kushtetuta dhe ligji ia kërkon”, përfundon Blushi.