Kreu i PD-së Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë mesditën e sotme. Ai tha se kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po përpunojnë një marrëveshje me njeri-tjetrin. Kjo, sipas tij pasi Tahiri disponon fakte, përgjime dhe filmime për përfshirjen direkte të Ramës me banda.

DEKLARATA

Të gjitha operacionet e suksesshme anti-mafia janë zhvilluar nga partnerët tanë. Kjo është e vërteta për operacionin e mbrëmshëm dhe për Xibrakën. Edi Rama i interesuar drejtpërdrejt për mbrojtjen e tyre. Prej më shumë se 2 vitesh, PD ka denoncuar përfshirjen e familjarëve të Edi Ramës sepse faktohet se lëvizin me të njëjtat makina që lëviznin kriminelë. Rama ka heshtur. Rama dhe Tahiri po përpunojnë një marrëveshje me njeri-tjetrin. Tahiri disponon fakte, përgjime, filmime për përfshirjen direkte të Edi Ramës me banda.Të dy duan të shpëtojnë paq dhe të vazhdojnë të menaxhojnë miliona euro. As arrestimi i Tahirir, as procedimi, nuk ka sukses pa ikur Edi Rama.