Kryeministri Edi Rama dhe ministri i deleguar për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, kanë dalë në një konferencë me gazetarët lidhur me çështjen e negociatave. Pa nisur me shpjegimin lidhur me dështimin e marrjes së një “PO”-je nga Europa, Rama u ndal tek investigimi i transmetuar mbrëmjen e djeshme nga ‘Le Iene’.

Rama tha se nuk e kishte parë rastin e Alvin Berishës, që ka ngelur i ngujuar në kampin Al-Hol në Siri, pasi një përfaqësues shqiptar nuk ka shkuar ta marrë. Rama tha se ka një urdhër të lëshuar prej tij, pasi nuk mund të bëhet një operacion tërheqjeje për shkak të vështirësisë së kampit.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Pas 48 orë pa gjumë jemi këtu në përfundim të gjithë kësaj odiseje për të ndarë opinionin tonë lidhur me moskonludimin ndaj me të gjithë një shpjegim lidhur me një shqetësim që e kam marrë prej një numri të konsiderueshëm në Itali, mbi rastin e një Rai-t, kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq, ai emision drithërues sipas gjithë përshtypjeve ka lënë të kuptohet se cështja e djalit të mitur është një cështje vullneti i ambasadës tonë në Turqi apo e ambasadorit. E vërteta është se prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, material i klasifikuar, lidhur me personat dhe familjet që gjenden në atë kamp. Ia kam sqaruar edhe babait, kjo nuk varet nga ne. S’është një cështje e strukturave tona diplomatike, pasi nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshëm. Gazetarët mund të hyjnë në këto kampe, sikundër shumë kolegë të kanaleve të huaja mund të hyjnë në këto kampe. Është komplet diçka tjetër, për të bërë një operacion tërheqjeje për personat që ndodhen në atë situatë. Me gjithë keqardhjen, dua të ndaj me të gjithë se e vërteta është kjo. Situata tani është edhe më e komplikuar, sepse në atë territor ka përplasje luftarake. Do vijojmë të bëjmë punën që kemi bërë, edhe thirrjen që bëri presidenti amerikan. Ua bëri vendeve europiane. Asnjë vend deri më sot, përfshirë edhe Italinë fqinje ku është transmetuar ky emision dramatik s’ka tërhequr njerëzit sepse është operacion i komplikuar. Fokusi ynë ka qenë që në fillim, tek gratë dhe të miturit, dhe në bashkëpunim me partnerët, SHBA dhe po ashtu me autoritetet turke, kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion. Kemi kontakte dhe ka një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet dhe është përgatitur infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan masash për trajtimin e tyre këtu në Shqipëri. Është zonë pa autoritete, ndaj edhe kontaktet janë të ndërmjetme dhe transferimi i tyre me struktura të specializuara është hapi i parë për të bërë transferimin përfundimtar. Ky shpjegim është i mjaftueshëm se informacioni i dhënë apo i nënkuptuar, se unë se kam parë emisionin sikur kjo është një cështje vullneti dhe vënie në veprim nga ana e ambasadës nuk është i vërtetë.