Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e cilësoi antikushtetues emërimin si prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë në Tiranë të bashkëshortit të ish-ministres socialiste, Ermonela Felaj, aktualisht deputete.

Alibeaj thotë se Bledar Valikaj është emëruar si prokuror, ndonëse nuk është magjistrat. Po ashtu sipas tij, Kushtetuta detyron të emërohen prokurorë vetëm ata që e kanë kaluar Vettingun, por ky nuk është rasti i burrit të Felajt.

“Ai as Vettingun nuk e ka kaluar. Nëse Vettingu u bë për të emëruar pa Vetting dhe në mënyrë jo kushtetuese burrin e Ermonela Felajt atëherë ajo ia ka arritur qëllimit. Që sot Edi Rama ka në drejtësi një ushtar tjetër, burrin e deputetes së tij”, vijon Alibeaj.

Sipas Alibeajt, kjo është arsyeja që shqiptarët nuk besojnë te drejtësia e Vettingu.

Valikaj u caktua prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë, në mbledhjen e datës 25 mars të KLP-së. Ky është vendimi i Gjykatës Administrative, e cila ka urdhëruar KLP të emërojë prokuror bashkëshortin e ish-ministres, Bledar Valikaj.