Kryediplomati shqiptar, Gent Cakaj, i konsideron sulme të ulëta politike disa pretendime në vend dhe në Prishtinë se Tirana synon ta dëmtojë Kosovën territorialisht kundrejt Serbisë vetëm për të arritur marrëveshjen mes tyre.

Shqipëria nuk ka rol tjetër përveç atij mbështetës për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gent Cakaj, ministri në detyrë i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kritikoi në fundjavë sulmet politike në Tiranë dhe Prishtinë se ekzekutivi shqiptar po punon me aktorë të huaj prapa skenave për të dëmtuar interesat e Kosovës.

Marrëveshja për njohje reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit mund të arrihet nëpërmjet shkëmbimit të territoreve, dhe sipas pretendimeve, as Tirana nuk është kundër.

Por në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosovapress, Cakaj thotë se as ai vetë, as kryeministri Edi Rama, nuk do i imponojnë diçka të tillë Kosovës.

“Është fare e thjeshtë dhe nuk e kuptoj pse abuzohet me këtë çështje kur BE ka një qëndrim të qartë që një skenar i tillë nuk është në agjendë. Kur ambasadori Grenell, përfaqësuesi special i presidentit të ShBA-së  e përjashton këtë çështje… nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën e cila mund të kalojë pa u ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.”

Kryediplomati shqiptar shton se Shqipëria ka qenë e angazhuar më shumë se kurrë për njohjen e Kosovës.

Ai madje konsideron se edhe temat e liberalizimit të vizave apo negociatat me Bashkimin Europian duhet të kishin gjetur zgjidhje kohë më parë.

“Ky proces shpesh herë është politizuar dhe janë shprehur shqetësime të cilat objektivisht nuk qëndrojnë. Korrupsion ka edhe në Shqipëri, pyetja për të hapur negociatat nuk është zhbërja totale e korrupsionit, sepse ky është një proces që varet prej disa njësive matëse.”

Ndërsa vendimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës për të marrë pjesë si koalicion në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Cakaj e konsideron unifikim ideologjik karshi Beogradit.

“Për herë të parë Shqipëria luan rolin e saj, dhe me këtë partitë politike shqiptare atje e zgjerojnë fushëveprimin në adresimin e çështjeve të tyre. Nuk kam iluzione se tash për shkak të atij koalicioni situata do të përmbyset dramatikisht. Sa më të bashkuar që të jenë, aq më të fortë do të jenë.”