Ilir Meta do të marrë sot zyrtarisht, detyrën e Presidentit të Republikës pas betimit që do të bëjë në Parlament, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për ditën e hënë, në orën 18:00.

Presidenti i zgjedhur vetëm nga maxhoranca e majtë që në muajin prill, pritet të betohet sot edhe para deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët bojkotuan zgjedhjen e tij si kreu i ri i shtetit.

Burime pranë PD bënë të ditur për “Panorama” se Grupi i “vjetër” Parlamentar i PD-së, pa Lulzim Bashën në krye, do të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Ilir Metës në Parlament.

Në këtë ceremoni nuk do të marrin pjesë deputetët që dolën nga zgjedhjet e 2017-s, por ligjvënësit që kanë fituar mandatin në legjislaturën e vitit 2013, pjesa më e madhe e të cilëve mbeti jashtë listave të zgjedhjeve të 25 qershorit.

CEREMONIA

Ceremonia pritet të nisë në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë. Duke qenë se Ilir Meta ka aktualisht dhe postin e kryetarit të Kuvendit, rolin e tij pritet ta ushtrojë nënkryetarja, Valentina Leskaj. Pas leximit të formulës së betimit, Meta do të betohet para deputetëve të Kuvendit.

“Kryetari i Kuvendit fton Presidentin të ngrihet në këmbë për të bërë betimin, ndërkohë të gjithë të pranishmit janë të ulur nëpër vendet e tyre. Kryetari i Kuvendit lexon formulën e betimit, sipas kushtetutës, neni 88, pika 3. Presidenti deklaron: “Betohem” (Presidenti mund të shtojë “Zoti më ndihmoftë”)”, thuhet në ceremonialin e protokollit e shtetit.

Pas himnit kombëtar, Presidenti i ri i drejtohet Kuvendit me një fjalë përshëndetëse. Më pas, ceremonia e dytë zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30.

Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Bujar Nishani te Presidenti i ri, Ilir Meta, i cili shoqërohet nga familja e tij. Në mënyrë simbolike kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, do i dorëzojë Presidentit Meta kushtetutën e vendit.

Ndërkohë që pjesë e ceremonialit do të jetë dhe shoqërimi i emërimit të kreut të shtetit me 21 të shtëna topi.

Pas këtij ceremoniali, Presidenti i ri do të mbajë një fjalë përshëndetëse para personaliteteve të ftuara në këtë aktivitet si edhe qeveritarëve dhe trupit diplomatik të akredituar.

CEREMONIA E FILLIMIT TË DETYRËS SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

1. Ceremonia e fillimit të detyrës së Presidentit të Republikës zhvillohet si një e tërë, e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës.

2. Ditën e caktuar, në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, përveç deputetëve, mund të marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë të huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike. Protokolli i Kuvendit drejton ceremoninë në sallën e Kuvendit.

3. Presidenti në detyrë, me familjen e tij, zë vend në lozhën nr.1, kurse në atë ngjitur vendoset familja e Presidentit të zgjedhur.

4. Në orën 18:00, Presidenti i Republikës mbërrin në hyrjen kryesore të Kuvendit dhe po në këtë moment del aty për ta pritur Kryetari i Kuvendit dhe mbasi përshëndeten, hyjnë nëpërmjet sallës dhe zënë vend në podium.

5. Kryetari i Kuvendit fton Presidentin të ngrihet në këmbë për të bërë betimin, ndërkohë që të gjithë të pranishmit janë të ulur nëpër vendet e tyre. Kryetari i Kuvendit lexon formulën e betimit, sipas kushtetutës, neni 88, pika 3. Presidenti deklaron: “Betohem” (Presidenti mund të shtojë “Zoti më ndihmoftë”).

6. Ekzekutohet himni kombëtar i Shqipërisë dhe të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë. Kryetari i Kuvendit fton Presidentin për të marrë fjalën përshëndetëse para Kuvendit. Presidenti mban fjalën.

7. Kryetari i Kuvendit uron Presidentin për detyrën dhe deklaron mbylljen e seancës plenare, duke kërkuar leje për ta shoqëruar Presidentin deri në hyrjen kryesore. Të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë.

8. Mbas Kuvendit të Shqipërisë, ceremonia presidenciale vijon në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës. Të ftuarit mbërrijnë në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës deri në orën 19:15 dhe zënë vendet e caktuara për ta. Tribuna A rezervohet për miqtë e huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike, kurse tribuna B, për personalitetet e larta shtetërore dhe miqtë vendas.

9. Në orën 19:25 mbërrin dhe zë vend në krye të shkallëve të Selisë së institucionit të Presidentit të Republikës ish-Presidenti i Republikës.

10. Në orën 19:30 mbërrin Presidenti i Republikës, makina e të cilit shoqërohet nga truproja e nderit në katër motoçikleta ceremoniale.

11. Zhvillohet ceremonia e nderit sipas skemës përkatëse. Presidenti drejtohet dhe zë vend në krye të shkallëve të Selisë së institucionit të Presidentit të Republikës, në të djathtë të ish-Presidentit. Në të dyja anët e shkallëve janë vendosur oficerë të Gardës së Republikës me uniforma ceremoniale.

12. Ekzekutohet himni kombëtar, i cili shoqërohet me 21 të shtëna topi artilerie me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, flamuri kombëtar qëndron i ngritur.

13. Drejtori i Protokollit të Shtetit fton kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, që, në mënyrë simbolike, t’i dorëzojë Presidentit të ri, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjatë dorëzimit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese deklaron: “I nderuar zoti President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

14. Drejtori i Protokollit të Shtetit fton Presidentin e zgjedhur të Republikës të bëjë përshëndetjen e rastit.

15. Zhvillohet parakalimi tradicional i truprojës së nderit. Pas kësaj, të pranishmit ftohen në Pallatin e Brigadave për të marrë pjesë në pritjen zyrtare.

KRYEMADHI REFUZOI ROLIN E ZONJËS SË PARË

Ilir Meta do të jetë President, i cili do të ushtrojë detyrën pa pasur në krah Zonjën e Parë. Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Ilir Metës, zgjedhur si kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk ka pranuar të heqë dorë nga politika dhe të mbajë pozicionin honorifik të Zonjës së Parë. Sipas saj, politika është më e rëndësishme, ndaj nuk do të largohet nga roli i deputetes dhe tashmë i kryetares. “Me kushtetutë, zonja e parë nuk ekziston. Unë jam deputete dhe do ta mbaj këtë post”, ka thënë Monika Kryemadhi e pyetur nga gazetarët.

KUSH DO TA BËJË ZONJËN E PARË?

Në ceremonialin e protokollit të shtetit nuk është parashikuar rasti i mospranimit të ushtrimit të këtij funksioni nga bashkëshortja. “Nëse Presidenti është i pamartuar ose i ve, asnjë nga familjarët e tij nuk mund të përfaqësojë apo të luajë rolin e zonjës së parë. Në veprimtarinë zyrtare, Presidenti i Republikës paraqitet i pashoqëruar”, thuhet në ceremonial. Por në ceremonitë festive, Presidenti mund të marrë një nga familjarët, i cili trajtohet me status të veçantë, por jo si Zonjë e Parë.

/Panorama/