Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi gjatë fjalës në Kuvend se, përmes ndryshimeve në aktin normative, do të forcohen penalitetet për subjektet në zonat turistike që nuk zbatojnë protokollet e sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Çdo shkelje do të ndëshkohet pasi konsiderohet kërcënim i shëndetit të qytetatëve! Për këtë arsye, nëpërmjet këtij akti normativ, do të forcohen penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari në zonat turistike”, tha Manastirliu në Kuvend.

Duke e vënë theksin te rëndësia e zbatimit të masave, Manastirliu e vuri kërkoi mirëkuptimin e biznesit dhe qytetarëve.

“Pavarësisht ashpërsimit të masave, një gjë është e sigurt, që këto masa të jenë të vlefshme, varet nga sjellja individuale. Sepse nuk është e mundur që pas çdo subjekti të kemi një inspektor, apo pas çdo personi që është konfirmuar pozitiv, i cili duhet të rrijë i izoluar, të kemi një polic. Kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e ndryshimit të sjelljes, për të jetuar në një normalitet të ri”, tha Manastirliu.

Nëpërmjet ndryshimeve në aktin normativ, do të vendosen penalitetet për subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit, që i thyejne rregullat, duke ndikuar direkt në përhapjen e infeksionit SARS COV2.

Parashikohet dënimi me gjobë 700,000 (shtatëqind) mijë lekë dhe në rast përsëritjeje, parashikohet edhe mbyllja e veprimtarisë, duke synuar të mbrohet shëndeti i turistëve në zonat e plazheve, nga infeksioni SARS COV2.