26/01/2021 - 10:00
Presidenti Ilir Meta ka publikuar sot të dhënat zyrtare të përpunuara nga "Zëri i Amerikës", ku shprehet se numri i të prekurve nga pandemia është 20.4% më shumë se një javë më parë.
Përmes një statusi në rrjetet Sociale, Meta bën thirrje për një plan të qartë për të përballuar pandeminë e COVID-19, për menaxhimin efikas të situatës, përmirësimin e prekshëm të kushteve në spitale, rritjen e masave mbrojtëse për mjekët e infermierët dhe veçanërisht për vaksinimin e popullatës
"Sipas të dhënave zyrtare të përpunuara nga "Zëri i Amerikës", numri i të prekurve nga pandemia arriti në 4830, ose 20.4 përqind më shumë se një javë më parë.
Ky është niveli më i lartë i shënuar, që pas javës së dytë të dhjetorit.
Nevojitet një plan i qartë, që duhet ta kishim prej kohësh, për menaxhimin efikas të situatës, përmirësimin e prekshëm të kushteve në spitale, rritjen e masave mbrojtëse për mjekët e infermierët dhe veçanërisht për vaksinimin e popullatës.
COVID-19 nuk ndalet me propagandë.
Shëndeti dhe jeta e shqiptarëve duhet të jenë prioritet absolut.", shkruan Meta.
/portali DurresLajm/
