Zbulohet identiteti i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, CV-ja e të cilit po bën xhiron e rrjetit për shkak të “eksperiencave” dhe “aktiviteteve” të tij “kombëtare, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare”.

Ai është Kostaq Papa, deputeti i opozitës se re, i cili ka hyrë në Parlament nga lista e Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës.

Kostaq Papa është kreu i Partisë Emigracioni Shqiptar dhe ai shkruan në CV e tij se ka eksperiencë pune si “Konsulent Juridik Ndërkombëtar”. “Koordinator Universitar” dhe “Drejtues në Institucionet e Shoqërisë Civile”.

Ndërkohë që si aktivitet shoqërore dhe politike shkruan se ka pasur “Në Institucionet Kombëtare e Mbarëkombëtare dhe Ndërkombëtare”.

Pikërisht ky shënim është bërë objekt i komenteve dhe lajmeve të ndryshme në rrjetet sociale dhe portale.

DËNIMET

Por ajo që deputeti i Kuvendit të Shqipërisë shkruan në formularin e dekriminalizimit është akoma më interesante.

Kostaq Papa bën të ditur se është dënuar në vitin 2006 për veprën penale “Përdorim me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe për këtë ai ka marrë dënim të formës së prerë dhe ka paguar gjobën 50 mijë lekë të reja.

Ndërkohë që në vitin 2003 është dënuar nga Gjykata e Durrësit për veprën penale “shpifje”.  Ai që bën të ditur se e ka fituar gjyqin në Apelin e Durrësit dhe ka marrë pafajësinë.

Por ajo që bie në sy është fakti se Kostaq Papa i ka fshehur këto dënime në vitin 2017, kur u bë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.

Në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në vitin 2017, deputeti i opozitës së re figuron i pastër.

Ndërsa në formularin e vitit 2019, kur i erdhi radha për të hyrë në Parlamentin e Shqipërisë, Kostaq Papa ka deklaruar dy dënimet, madje dhe faktin se ka ndryshuar emrin nga “Kostandin” në “Kostaq”.

LIGJI DEKRIMINALIZIMIT

Në ligjin e dekriminalizimit është përcaktuar e qartë se fshehja e të dhënave dhe pasqyrimi i tyre në mënyrë të rreme dënohet me burg dhe me heqjen e mandatit.

Këtë fakt vetë deputeti i ka firmosur dy herë dhe në vitin 2017 kur kandidoi për herë të parë dhe në vitin 2019 kur mori mandatin e deputetit.

Deputeti i Kuvendit në këtë rast ka fshehur të dhënat e dënimeve të tij kur ka kandiduar, ndërkohë që në formularin e dytë ai i ka zbuluar po vetë dënimet.

Por duke qenë se ka firmosur dy herë formularin e vëtëdeklarimit me të dhëna të rreme, ai sipas ligjit rrezikon mandatin. /panorama