Ambasadori i Hungarisë në Tiranë Lorant Balla, u prit sot në një takim nga kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Ambasadori hungarez shfaqi një interesim maksimal për qytetin e Durrësit dhe atë çka ofron ky qytet për sa i përket veçanërisht sektorit të turizmit dhe atij ekonomik.

Kryebashkiaku Dako është ndalur në këto fusha e sidomos në fushën e turizmit duke e njohur ambasadorin Balla me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj.

Ambasadori hungarez deklaroi se këtë vit është rritur ndjeshëm numri i tursitëve hungarezë në Durrës dhe pritet që ky numër të pësojë rritje edhe më të mëdha në vitet në vijim.

Kryebashkiaku Dako dhe ambasadori Balla biseduan rreth binjakëzimit të Durrësit me njërin nga qytetet kryesore hungareze për të vijuar më pas me intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe atyre turistike, arsimore, kulturore etj.

Balla deklaroi se në vijim do të ndërmerren hapa konkretë për një binjakëzim të tillë që do të sjellë një rritje të numrit të turistëve hungarezë në Shqipëri si dhe nxitjen e investimeve hungareze në Durrës. Në fund të takimit, kryebashkiaku Dako dhe ambasadori hungarez Balla shkëmbyen dhuratat e rastit.