Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e nëndetëses turke TCG GÜR S-357, kolonel Tahir Tan Ince i shoqëruar nga atasheu ushtarak i Republikës së Turqisë i akredituar në vendin tonë, kolonel Şakir Cumhur Somer dhe oficerët të tjerë të kësaj nëndetëseje. 

Nëndetësja turke TCG GÜR S-357 ka ardhur në Portin e Durrësit në zbatim të planit të bashkëpunimit ushtarak mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë, ndërsa me vizitën e saj synohet që të thellohet edhe bashkëpunimi në fushën ushtarake mes dy vendeve.

Nëndetësja është e gjatë 62 metra, e gjerë 6.2 metra dhe peshon 1400 tonë, ndërsa personeli i saj përbëhet nga 45 persona. Komandanti i nëndetëses turke Tahir Tan Ince dhe ushtarakë të tjerë të kësaj nëndetëse i kanë shprehur kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në  kuadër  të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk.

Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike, por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. 

Në fund të këtij takimi, kryebashkiaku Dako i ka dhuruar komandantit të nëndetëses turke simbolet e qytetit të Durrësit, ndërkohë që nga ana e tij komandanti i nëndetëses i ka dhuruar Dakos simbolin e kësaj nëndetëseje.