Përplasja mes Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta pas shfuqizimit të dekretit për zgjedhjet e 30 Qershorit, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje marrëdhënien e trazuar ndër vite mes dy krerëve të vendit.

Drejtuesi i emisionit Opinion Blendi Fevziu renditi mbrëmjen e së enjtes një kronologji të marrëdhënies së tyre, duke nisur nga njohja në vitin e largët 1988.

Cili ka qenë raporti mes Edi Ramës dhe Ilir Metës ndër vite? Një raport shumë i çuditshëm, ndoshta ndër më të pabesueshmit në politikën shqiptare dhe njëkohësisht një nga më të çuditshmit ndoshta në të gjithë politikën Europiane. Ilir Meta dhe Edi Rama janë prezantuar sëbashku në palestrat e forcës të klubit Dinamo në vitin 1988, njëri basketbollist i Dinamos, tjetri peshëngritës”, tha Fevziu.

Në vitin 1998 Ilir Meta dhe Edi Rama hynë të dy në qeveri Nano 3 me poste të ndryshme ministrore. Edi Rama Ministër i Kulturës, Ilir Meta, Sekretar Shteti për Çështjet e Jashtme.
Në vitin 1999 Ilir Meta si Kryeministër riemëron Ramën në postin e Ministrit të Kulturës.
Në vitin 2000 Ilir Meta si Kryeministër mbështet Edi Ramën si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Në vitin 2004 Ilir Meta u largua nga PS dhe krijoi LSI-në. Edi Rama e mbështet veprimin e tij, edhe pse në distancë.
Në vitin 2005 Ilir Meta konkurron kundër PS duke i shkaktuar humbje në zgjedhje.
Në vitin 2006 Ilir Meta dhe LSI i bashkohet Edi Ramës që sapo ishte zgjedhur kryetar i PS në koalicion. Në vitin 2007 konkurrojnë sëbashku në zgjedhje lokale duke fituar qytetet kryesore.
Në vitin 2008 Edi Rama bën një marrëveshje me Sali Berishën dhe e braktis Metën në ndryshimet kushtetuese. Ata garojnë të ndarë në zgjedhje në vitin 2009 duke i shkaktuar humbje PS.
Në vitin 2009 Ilir Meta bashkon votat me Sali Berishën duke qeverisur vendin deri në vitin 2013.
Në vitin 2011 Edi Rama kërkon arrestimin e Ilir Metës pas filmimeve të Dritan Priftit dhe ngjarjeve të 21 Janarit.
Në vitin 2013 Ilir Meta dhe Edi Rama (këtu kam harruar Lorenc vitin 2012, një darkë me ngjala në Gjirin e Lalëzit) bëjnë koalicion, konkurrojnë bashkë në zgjedhje duke fituar ndaj ish-Kryeministri Sali Berisha.
Në vitin 2017 Edi Rama e zgjedh President Ilir Metën me votat e PS dhe LSI.
Në vitin 2017 Edi Rama dhe Ilir Meta konfliktohen në fushatën zgjedhore dhe konkurrojnë të ndarë.
Në vitin 2019 Edi Rama kërkon shkarkimin e Ilir Metës.

“Dashuri dhe urrejtje në nivele nga më të çuditshmet, ndoshta të panjohur edhe për politikën evropiane ai mes Ramës dhe Metës”, theksoi drejtuesi i emisionit Opinion, Blendi Fevziu.