Në zyrën e Presidentit të Republikës kanë hyrë pak minuta më parë ambasadorët e BE-së, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ata do të diskutojnë me Ilir Metën mbi krizën politike në Shqipëri.

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi deklaroi pas takimit me Ilir Metën se presidenti pritet të dekretojë një datë të re për zgjedhjet lokale, duke qenë se nuk e njeh më 30 qershorin.

Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës, Shehi së bashku me anëtarët e tjerë të Grupimit të Djathtë janë nisur drejt selisë blu, aty ku ndodhen në takim kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Pritet që në orët në vijim, si nga Presidenca ashtu edhe nga opozita, të ketë deklarata mbi një datë të re të mundshme për zgjedhjet lokale.

Sa i përket mazhorancës, kryeministri Edi Rama nuk i ka komentuar zhvillimet e fundit, por ditën e djeshme refuzoi ftesën e Metës për dialog duke theksuar se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor.