Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka reaguar pas deklaratave të kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, se Kuvendi duhet të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Në një postim në Facebook, Blushi i quan të shëmtuara dhe të dënueshme deklaratat e Ballës, ndërsa shton se janë presione të dhunshme dhe të qarta politike ndaj organit të akuzës për të mos vepruar ndaj kallëzimit penal të Presidentit ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani.

"Deklaratat e shëmtuara dhe të dënueshme të z.Balla janë presione të dhunshme dhe të qarta politike ndaj organit të akuzës, për të mos vepruar menjëherë ndaj kallëzimit penal të depozituar dje nga Presidenti i Republikës ndaj z.Ardian Dvorani, besnikut të partisë dhe dhunuesit të vetëdijshëm të ligjit dhe Kushtetutës. Presidenti Meta ka qenë shumë i qartë dhe KA PARALAJMËRUAR PRERË se në të ardhmen NUK DO TË TOLEROJË MË, as shkeljen më të vogël të procedurave, që synon kapjen mafioze të Reformës në Drejtësi, që tani ndodhet para një momenti historik për të dëshmuar integritetin dhe vërtetësinë e saj! Për këdo që nuk e ka kuptuar qartë, PARALAJMËRIMI ËSHTË I PRERË: LARG DUART NGA GJYKATA KUSHTETUESE! TE GJYKATA KUSHTETUESE VIJA ËSHTË E KUQE, DHE ËSHTË E KUQE FLAKË!"