Në emisionin “Opinion”, kreu i PD-së Lulzim Basha bëri një deklaratë të fortë për drejtuesin politik të PS-së në qarkun Durrës, Adrian Çela, por edhe për ish-kryebashkiakun Vangjush Dako apo deputetin Tom Doshi.

“Ard Çelën e pret një fat më i zi se Vangjush Dako. Kupa është mbushur. Prokurori më i dobët në botë të jetë, ka lënë aq gjurmë sa do të ballafaqohet me drejtësinë. As Ard Çela, as Tom Doshi dhe as Vangjush Dako dhe askush tjetër që mendon se do të vallëzojë me shqiptarët në 24 prill nuk do t’i shpëtojë drejtësinë. Unë drejtësisë duart nuk do t’ia lidh. Mjerë ata që kanë hyrë në hak me shqiptarët”,- tha Basha me ton të ngritur.

Basha paralajmëroi rilindasit që të mos tentojnë të bëjnë plane për grabitje votash, pasi nuk do t’i shpëtojnë më drejtësisë.

Ndërsa analisti Lorenc Vangjeli po listonte emrat e personave që po bëjnë fushatë për Rilindjen, ishte dhe ai i drejtorit të OSSHE-së Ardian Çela, person për të cilin Basha tha se po takon të njëjtat banda që vodhën zgjedhjet e vitit 2017.

Basha foli me emra konkretë duke përmendur Adrian Çelën, Vangjush Dakon dhe Tom Doshin duke i paralajmëruar që mos të bëjnë asnjë plan për prekje votash, pasi do të përfundojnë para drejtësisë.

“I them Ard Çelës e gjithë atyre të tjerëve se jo aq sa bënë në 2017-ën, por edhe sikur një të njëmijtën të bëjnë i pret drejtësia. As Ard Çela, as Tom Doshi, e as Vangjush Dako nuk do t’i shpëtojë asaj që po ndodh pas 25 prillit”, tha Basha.