Deklarata e fortë e ish-deputetes: Po luftojmë për mbijetesë në xhungël! Durrësi po qeveriset "Virtualisht"

09/10/2019 - 17:29

“Luftë për Mbijetesë në Xhungël”e cilëson ish-deputetja e Durrësit, Fatbardha Kadiu, situatën sociale-ekonomike të pjesës më të madhe të familjeve shqiptare. Në një intervistë për DurrësLajm, politikania Kadiu, duke u ndalur tek konkluzionet e një dite më parë të Bankës Botërore për ekonominë shqiptare, deklaron se “qeveria Rama i ka shpallur luftë biznesit të vogël dhe atij të mesëm si dhe gjithë klasës së mesme të shoqërisë”.

Për Kadiun, shifrat e INSTAT për uljen e papunësisë në nivelin historik 11.5% nuk janë tregues i asaj çfarë ndodh në realitetin shqiptar. Ndërsa çdo vit diplomohen rreth 30 mijë studentë, çdo vit numri i punësimeve rritet me vetëm 4000 persona, gjë që shpjegon sipas saj ikjen masive të shqiptarëve dhe numrin e lartë të të rinjve që duan të braktisin vendin.

Duke u ndalur tek të zgjedhurit e dalë nga procesi i votimit të 30 qershorit, Kadiu deklaron me keqardhje se qyteti i Durrësit po administrohet vetëm “Virtualisht”, ndërkohë që mungojnë projektet që mund të përmirësonin vërtet jetën e durrsakëve dhe do të ishin të prekshme nga të gjithë.

“Klanet mafioze vazhdojnë të kontrollojnë sektorët kryesorë të administrimit të qytetit, transportin, hapësirat publike etj”,-deklaron Kadiu, ndërsa thekson se shumica e familjeve durrsake janë të detyruara të harxhojnë rreth 85% të buxhetit të tyre për ushqime, ndërsa në zonat periferike mungojnë shërbimet bazike që duhet t’u garantohen qytetarëve.

Në intervistë, ish-deputetja ndalet edhe tek PPP-të dhe Ofertat e Pakërkuara, duke shpjeguar me detaje se kur duhet të përdoren ato në bazë të eksperiencës ndërkombëtare dhe pse përdoren ato realisht nga qeveria Rama.

Dua ta nis këtë intervistë me raportin më të fundit të Bankës Botërore për Shqipërinë, ku nënvizohet se ekonomia shqiptare pritet të ngadalësohet në 2.9% këtë vit, ndërkohë që janë shtuar rreziqet nga projektet e partneritetit publik privat (PPP). A mendoni se qeveria Rama do t’i lexojë siç duhet konkluzionet e BB-së?

Atë që Partia Demokratike e thotë prej kohësh me çdo mjet të saj, tashmë dhe Banka Botërore e konfirmon, ekonomia shqiptare është në pikiatë. Ndërkohë që fuqia punëtore çdo ditë e më shumë po largohet nga vendi, ndërkohë që taksat, tatimet dhe tarifat e çdo shërbimi apo produkti janë rritur, qeveria Rama i ka shpallur luftë biznesit të vogël dhe atij të mesëm si dhe gjithë klasës së mesme të shoqërisë. I gjithë buxheti i shqiptarëve kalon vetëm përmes 10 duarve. Kjo shoqërohet jo vetëm me ulje të ekonomisë, por mbi të gjitha me një shpërndarje absolutisht të pabarabartë midis personave fizik apo juridik, ku në fund na sjell atë që po e jetojmë të gjithë; Luftë për Mbijetesë në Xhungël!

Ndërkohë që rritja ekonomike në tremujorin e dytë të 2019 ishte 2.31%, INSTAT raporton për uljen e papunësisë në nivelin historik 11,5%. Nga ana tjetër, 40% e të rinjve po planifikojnë të ikin nga Shqipëria. Keni një koment për këto shifra që duken kontradiktore njëra me tjetrën?

Parë në mënyrë sipërfaqësore, shifrat e INSTAT të krijojnë përshtypjen sikur ekonomia është në shinat e duhura. Por duhet kuptuar se INSTAT paraqet dy tregues kryesorë në lidhje me këtë fenomen. I pari është niveli i papunësisë dhe i dyti është rritja e punësimit. Metodologjia e përdorur për nivelin e papunësisë është një anketë në një kampion relativisht të vogël, 5 ose 6 mijë familje e pastaj këtë e përkthejnë në nivel kombëtar. Pra besueshmëria është jo adeguate.

I dyti, niveli i të punësuarve, po sipas shifrave të INSTAT, tregon thjesht për një rritje numri prej 4 mijë vende pune. Konsideruar numrin e të rinjve, të cilët diplomohen çdo vit, i cili është rreth 30-35 mijë do të thotë që papunësia reale është shumë më e madhe. Por ky fenomen nuk pasqyrohet në shifrat e INSTAT!

Megjithëse ka një sërë rekomandimesh nga FMN apo BB, për të ndaluar ofertat e pakërkuara dhe PPP-të, qeveria Rama vazhdon të japë të tjera. Më e fundit është ajo për ndërtimin e portit të jahteve 7 km larg Kepit të Rodonit, për të cilin ju patët bërë një status kohë më parë. Pse qeveria vazhdon me koncesionet, kur institucionet ndërkombëtare e këshillojnë të ndalojë?

Mekanizmi i përdorimit të PPP-ve në rastin e Shqipërisë do të mbetet si rasti më negativ i përdorimit të tij. Më lejoni t’ju them që rastet me Ofertë të Pakërkuar apo PPP-të, në shumicën e vendeve perëndimore përdoren për inovacione një pjesë e tyre dhe pjesa tjetër përdoret për sektorë apo segmente të caktuar sektorial, të cilët kanë një diktim nga qeveria për tek sektori privat. Në Shqipëri ndodh që përdorimi i PPP-ve për inovacion është zero, ndërsa mënyra e dytë e përdorimit është në rënie të lirë për klientelën e qeverisë, duke rezultuar në mungesë totale të eficencës së tyre.

Ministria e Financave ka hartuar projektligjin për fiskalizimin, ndërkohë që biznesi ka shprehur rezervat e veta. Vendosja e kasave fiskale u propagandua si arritje në luftën kundër informalitetit, por tashmë qeveria kërkon të vendosë faturën elektronike. Si i interpretoni ju këto ndryshime të shpeshta në politikat fiskale?

Ligji në thelbin e tij kërkon që faturat të raportohen në kohë reale dhe në formë periodike, siç e ka sistemi aktual. Por nuk është aspak një metodë që lufton evazionin fiskal të oligarkëve. Ngërçi kryesor i ekonomisë së vendit tonë mbetet korrupsioni në nivele të larta. Ashtu si me ligjin për ndryshimin e pragut të biznesit si subjekt i TVSH-së, ku rezultatet treguan që nuk ishte aspak i suksesshëm. Ndryshimi i pragut nuk solli nivel më të lartë të ardhurash në buxhet dhe po njësoj edhe ligji për fiskalizimin kur të miratohet nuk do ta ndryshojë aspak situatën. Qeveria Rama vazhdon ashtu sikurse rreth 7 vite më parë, me të njëjtën filozofi, të cilës i përshtatet një shprehje e urtë popullore: “Kërkon të nxjerrë dhjamë nga pleshti!”

Pjesa më e madhe e familjeve durrsake sipas INSTAT harxhojnë më shumë se gjysmën e buxhetit për ushqime. Nga kontaktet që ju keni me qytetarët apo bizneset e vogla si paraqitet situata social-ekonomike në Durrës dhe periferi?

Pjesa më e madhe e familjeve në qarkun Durrës harxhojnë përafërsisht 85% të buxhetit familjar për t’u ushqyer dhe për t’u veshur. Qytetarët çdo ditë e më shumë përballen me çmimet e larta të produkteve, me rritjen e taksës së pasurisë, së energjisë elektrike dhe të ujit. Kryesisht, në zonat periferike, mungesa e shërbimeve bazike bën që banorët të kene kosto shtesë për t’i arritur këto shërbime në qendër. Dhe ajo që është më shumë shqetësuese është numri i të rinjve nga këto zona, që largohen nga vendi. Shifrat e largimeve janë gjithnjë në rritje, Shqipëria kryeson me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE.

Që nga 2 gushti, kemi një kryebashkiake të re që drejton Durrësin. Si e gjykoni deri më tani administrimin e qytetit?

Administrimi i qytetit është “Virtual”, me propagandë, me aksione vullnetare etj, etj, etj. Njëherë shohim foto sesi pastrohet qyteti, pastaj dalim në rrugë e shohim plehra pa fund. Administrimi i qytetit nuk ka asnjë lloj përmirësimi, Klanet mafioze, siç e kam thënë edhe në intervistat e mia të mëparshme, vazhdojnë të kontrollojnë sektorët kryesorë të administrimit të qytetit, transportin, hapësirat publike etj. Në thelb asnjë projekt sfidues nuk shikohet në horizont për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve.

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

“Nuk ishte atentat ndaj meje, unë nuk kam konflikte me askënd. Makina përdoret nga shoferi im dhe shumë rrallë prej meje.”

Presidenti Ilir Meta është pritur sot në një takim nga Princi i Monakos, Alberti II.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh ndërsa është nisur për në Bruksel ku pritet të merret dhe përgjigjja për negociatat e Shqi

Pasi publikimit të opinionit final të Komisionit të Venecias në lidhje me presidentin Ilir Meta, sa i takon veprimeve të këtij të fundit

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, e ka quajtur lajm të mirë për drejtësinë dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta për anët

Kryetari i degës së PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferri, në një deklaratë për mediet, ka denoncuar sot një përplasje me armë që ka ndod

Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku akuzoi sot qeverinë se ka gënjyer dhe manipuluar të dhënat e buxhetit të shtetit, duke fshehur 600

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka thënë se Parlamenti Europian mbështet dhe i kërkon Këshillit fillim

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar këtë të mërkurë emërimin e Besnik Muçit, gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.