Pas deklaratës që Ardian Dvorani bëri për gazetarët pas daljes nga Prokuroria e Tiranës, ka reaguar Presidenca përmes zëdhënësit të saj, duke u shprehur se nuk priste reflektim nga kreu i KED-së.

Sipas Presidencës, ky institucion do të vazhdojë bashkëpunimin me Prokurorinë, siç thotë dhe zëdhënësi i Metës, për të ndalur kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

“Nga një dhunues me dashje i Kushtetutës dhe i ligjit, i mirëdokumentuar, i provuar dhe përsëritës në shkeljen e tyre, nuk presim asnjë reflektim publik. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organin e akuzës për të vendosur drejtësinë në vend. Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent për opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar, për të ndaluar kapjen totale të institucioneve të drejtësisë, përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese, institucionit më të rëndësishëm që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi.

Ardian Dvorani dëshmoi sot për 3 orë në Prokurorinë e Tiranës lidhur me kallëzimin që Presidenti Ilir Meta ka bërë ndaj tij. Kreu i shtetit e akuzon Dvoranin për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit shtetëror në lidhje me procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.