Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka arkëtuar 29 milionë lekë si gjoba ndaj zyrtarëve gjatë vitit 2018. Në raportin përfundimtar për performancën e institucionit në kahun e shpenzimeve dhe të ardhurave, ky institucion bën me dije se pjesa më e madhe e të ardhurave janë si ekzekutim i detyrueshëm për gjobat e vendosura në vitet e mëparshme.

“Ekzekutimi i detyrueshëm nga zyrat përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore si dhe vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë vjetore janë ekzekutuar tërësisht 132 raste në vlerën 21.1 milionë lekë”, vlerëson ILDKPKI.

Gjobat e vendosura dhe të paguara në mënyrë vullnetare duket se zënë një pjesë të vogël të të ardhurave. Sipas ILDKPKI-së, “Arkëtimi i gjobave të vendosura për rastet e shkeljes  së detyrimeve ligjore gjatë zbatimit të ligjit nr.9049 datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e Pasurive të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë” i ndryshuar, parandalimit dhe goditjes së korrupsionit në sektorin publik e  privat në përputhje me ligjin nr.60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” nga subjektet në sektorin publik dhe privat. Për vitin 2018 janë gjithsej 48 raste në vlerën 7.86 milionë lekë”

Të ardhurat e tjera janë në një nivel modest prej 46.5 mijë lekësh duke mbyllur tre zërat e realizmit të të ardhurave që ka ky institucion.