Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana ka reaguar pas denoncimeve të radhës nga ana e PD-së për familjet Smoqi dhe Luku në Shijak, të cilat pretendojnë se nuk kanë marrë ndihmë nga bashkia pasi tërmeti i shkatërroi shtëpinë.

Arbana i cilëson si video të sajuara të opozitës, e cila po i përdor njerëzit për interesat e veta politike.

“Dy rastet më të fundit janë i një zonje, Lutfije Smoqi, Njësia Administrative Gjepalaj, e cila është ndihmuar nga Bashkia. I kemi dhënë çadër menjëherë pas tërmetit. Është ndihmuar vazhdimisht me pako ushqimore. Znj. Smoqi ka lidhur kontratën dhe përfiton DËMSHPËRBLIM nga Granti për nivelin e dëmit DS3 dhe është përfituese e 5 milion lekëve. Zonja Lutfije jeton e vetme, jo me djalin dhe nusen e tij. Në foto është lidhja e kontratës për përfitimin e Grantit e firmosur nga vetë zonja Smoqi, gjithashtu dhe certifikata e saj familjare që tregon se jeton e vetme”, sqaron Arbana.

Kryebashkiaku po ashtu ka dhënë edhe një sqarim për familjen Luku.

“Rasti tjetër është familja Luku e cila banon në pallat dhe dy nga vellezërit banojnë në një pronë që është në pronësi të Bashkisë Shijak. Çadrat i kemi vendosur në kohën e renies së termetit dhe familjarët nuk jetojne më në ato cadra. Po ta shikoni videon të plotë, ku ne si zakonisht i çojmë pakot ushqimore, do kuptohet qartazi jane ndihmuar apo jo. Ne nuk i lëmë njerëzit në harresë. Ne nuk abuzojmë me njerëzit. Ne nuk i mashtrojmë njerëzit”.