Bashkia e Durrësit ka reaguar lidhur me denoncimin që bëri një ditë më parë Ferdinand Xhaferraj, për pallatin e dëmtuar të disa banorëve në zonën e Plazhit, të cilët akuzojnë se prej 14 muajsh nuk kanë marrë asnjë konfirmim nga Bashkia nëse banesat e tyre janë të banueshme ose jo.

Në sqarimin e saj për opinionin publik, Bashkia thotë sot se kjo është një tjetër shpifje më zë dhe figurë e kreut të PD-së së Durrësit, Xhaferraj. 

Sipas Bashkisë, në pallatin ku ka dalë në deklaratë kreu i PD-së durrsake, ka 10 ditë që po punohet me intensitet për rikonstruksionin e tij.

“Ky pallat është klasifikuar me shkallë dëmtimi DS3 nga 5 inxhinierë dhe arkitektë një pjesë e të cilëve janë nga FSHZH dhe pjesa tjetër nga Bashkia e Durrësit. Në bazë të këtij klasifikimi, banorët kanë përfituar grantin e rikonstruksionit ndërkohë që të gjitha dëmet e tjera të pallatit, në ambientet e përbashkëta të brendshme e të jashtme po kryhen nga firma e cila po punon në këtë pallat prej 10 ditësh, pra ka qenë duke punuar edhe ditën kur Xhaferraj ka bërë deklaratën se aty nuk po ndodh asgjë”, sqaron bashkia, teksa publikon edhe këto foto nga procesi i rikonstruksionit dhe një faksimile të akt-konstatimit. 

“Madje kaq “fake” është lajmi i Xhaferraj sa ai është kujdesur të japë vetëm një plan filmimi nga një mur i pambaruar sepse nëse do të kishte filmuar pallatin nga jashtë do të dukeshin të gjitha skelat e ngritura dhe punëtorët duke punuar. Përveç aktit të konstatimit ne i vëmë në dispozicion të opinionit publik edhe fotot nga ky pallat të fotografuara pikërisht ditën që Xhaferraj ka shpërndarë deklaratën se në këtë pallat nuk po bëhet asgjë dhe banorët janë pa përgjigje. Duket se Xhaferraj e ka shumë të vështirë apo gati të pamundur të gjejë një pallat me shkallë dëmi nga DS1 deri në DS3 ku me të vërtetë nuk ka nisur puna, por siç e thamë më lart ai nuk ka hallin e banorëve që do të rikthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre por ka hallin e vet personal, hall liste”, thuhet ndër të tjera në reagimin e bashkisë Durrës.

REAGIMI I PLOTË I BASHKISË:

Kryetari i PD-së së Durrësit, Xhaferraj, ka dalë në një tjetër deklaratë publike për të shpifur e hedhur baltë ashtu siç bën zakonisht. Është shumë e shëmtuar që Xhaferraj dhe opozita në Durrës shfrytëzojnë fatkeqësinë e tërmetit për të bërë politikë. Kreu i PD-së së Durrësit i cili është bërë vetë për t’i qarë hallin mendon se me këto lloj deklaratash publike do të “kapë” një vend të sigurtë në listën e deputetëve të partisë së tij por për fatin e tij të keq jo vend të sigurtë por as në numrat e fundëm të kësaj liste Xhaferraj nuk do të jetë, se ai as partisë së tij nuk i hyn më në punë. 

Xhaferraj është kandidat humbës, politikan i ricikluar dhe i dështuar sërish. Këtë e dinë të gjithë qytetarët e Durrësit, e di partia e tij por e di edhe vetë Xhaferraj që po bën këto tentativa të fundit për hallin personal që ka për një vend në listë. Por këto janë tentativa të dështuara të tij sepse kur të dalë lista me deputetë e PD në Durrës, Xhaferraj do të përjetojë një tjetër dështim të tij. E pra ky personazh ka vënë në skenë shfaqjen e rradhës duke bërë si i revoltuar teksa ka dalë me disa banorë në një pallat në zonën e plazhit duke thënë që asgjë nuk është bërë dhe se këta banorë nuk e dinë se kur do të hyjnë brenda shtëpive të tyre. Bashkia e Durrësit kërkon të sqarojë opinionin publik se kjo është një tjetër shpifje më zë dhe figurë e Xhaferraj. 

Pikërisht në pallatin ku ka dalë në deklaratë kreu i PD-së durrsake ka 10 ditë që po punohet me intensitet për rikonstruksionin e tij. Ky pallat është klasifikuar me shkallë dëmtimi DS3 nga 5 inxhinierë dhe arkitektë një pjesë e të cilëve janë nga FSHZH dhe pjesa tjetër nga Bashkia e Durrësit. Në bazë të këtij klasifikimi banorët kanë përfituar grantin e rikonstruksionit ndërkohë që të gjitha dëmet e tjera të pallatit, në ambientet e përbashkëta të brendshme e të jashtme po kryhen nga firma e cila po punon në këtë pallat prej 10 ditësh, pra ka qenë duke punuar edhe ditën kur Xhaferraj ka bërë deklaratën se aty nuk po ndodh asgjë. 

Madje kaq “fake” është lajmi i Xhaferraj sa ai është kujdesur të japë vetëm një plan filmimi nga një mur i pambaruar sepse nëse do të kishte filmuar pallatin nga jashtë do të dukeshin të gjitha skelat e ngritura dhe punëtorët duke punuar. Përveç aktit të konstatimit ne i vëmë në dispozicion të opinionit publik edhe fotot nga ky pallat të fotografuara pikërisht ditën që Xhaferraj ka shpërndarë deklaratën se në këtë pallat nuk po bëhet asgjë dhe banorët janë pa përgjigje. Duket se Xhaferraj e ka shumë të vështirë apo gati të pamundur të gjejë një pallat me shkallë dëmi nga DS1 deri në DS3 ku me të vërtetë nuk ka nisur puna, por siç e thamë më lart ai nuk ka hallin e banorëve që do të rikthehen shumë shpejt në shtëpitë e tyre por ka hallin e vet personal, hall liste. 

Xhaferraj i tregon të gjithëve që alternativa e PD-së është pikërisht ajo e baltës dhe shpifjeve pa limit që kreu i PD-së durrsake i përdor gjithmonë e për çdo gjë ndërsa Bashkia e Durrësit vijon punën me ritëm të lartë në shërbim të qytetit dhe qytetarëve me prioritetin absolut për të rikthyer sa më shpejt në banesat e tyre të gjithë qytetarët e Durrësit të dëmtuar nga tërmeti në mënyrë që qyteti ti rikthehet tërësisht normalitetit. Procesi i rindërtimit po vijon intensivisht dhe shumë shpejt fillon puna në terren për pallatet e klasifikuar DS4.