Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat tha se 9 ditë pas themelimit, kompania e mikut të Edi Ramës merr licencën e “Air Albania” me investim 100 mijë lekë.

“Në një akt klientelist dhe korruptiv, Edi Rama i ka dhënë mikut të tij vlonjat Sinan Idrizi pronësinë e kompanisë shqiptare Air Albania me një investim prej vetëm 100 mijë lekësh. Kompania fantazmë është krijuar vetëm 9 ditë përpara daljes së vendimit të posaçëm të qeverisë, duke treguar qartë se gjithçka ishte e paracaktuar, pa garë, jo transparente dhe antiligjore Kompanisë me fond vetëm prej 100 mijë lekësh, Edi Rama i ka vënë në dispozicion kompaninë shtetërore Albcontroll, e cila do të financojë një kompani private klienteliste të lidhur me kryeministrin. Kjo është e njëjta kompani që Partia Demokrastike e denoncoi në janar si pjesë të aferës korruptive me Aeroportin e Vlorës dhe një kompani turke. Përpara marrëveshjes për aeroportin e ri, Edi Rama është shoqëruar në Turqi nga Sinan Idrizi”, u shpreh Tabaku.

Tabaku publikoi një foto, ku duket pronari i kompanisë Air Albania, është në një takim të nivelit të lartë me Presidentin Erdogan dhe kryeministrin Rama dhe bëri disa pyetje për kryeministrin:

· Të kujt janë paratë e Air Albania?

· Për llogari të kujt punon Sinan Idrizi?

· Paratë e kujt po pastron miku i Edi Ramës?

· A po investohen tek Air Albania para të pista të familjes Rama dhe të ndonjë fondacioni të dyshimtë?