Deputetja e PD-së Fatbardha Kadiu, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Ekonomik Kombëtar, ka lëshuar akuza në drejtim të Kryeministrit Rama, që sipas saj, po e shfrytëzon këtë institucion vetëm për klientët dhe interesat e tij.

Deputetja e Durrësit u ndal në funksionimin e këtij Këshilli që është mbrojtja e interesit publik kombëtar. Por fakti që ky këshill është në varësi të kryeministrit dhe të gjithë anëtarët dhe vendimet përcaktohen nga kryeministri, ky institucion zhvillon vetëm interesat e tij. Për këtë qëllim, deputetja demokrate propozoi që ky këshill të mos jetë më në varësi të kryeministrit.

“Nisur nga interesi publik dua t’ju bëj me dije se Këshilli Kombëtar i Ekonomisë nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve të qeverisë. Për nga vetë emërtimi ai duhet të përfaqësojë shtetin shqiptar përtej konceptit të qeverive. Në rast të kundërt, kështu siç është aktualisht, është thjesht këshilli ekonomik i kryeministrit. Forma dhe konteksti në të cilin është shkruar ky ligj nuk ka asnjë pikë kontakti, qoftë dhe tangent me kombin, por thjesht interesa vetjake të kreut të ekzekutivit. Pra ky është këshilli i kryeministrit. Por nën vazhdën e asaj çka po ndodh në Shqipëri, me bëmat e kryeministrit dhe të kësaj qeverie, atij i duket se ekonomia e vendit është ekonomia e tij personale. Por fundja ashtu siç çdo sektor tjetër, ajo që bie në sy është kapja e ekonomisë prej tij, centralizimi i çdo institucioni”,  tha Kadiu.

Kadiu kërkoi gjithashtu që të bëhet transparencë në lidhje me sugjerimet e anëtarëve të këshillit, sugjerimet e subjekteve të ftuara në këtë këshill, procedurat dhe sugjerimet e përfaqësuesve të biznesit.

“Ligji dikton që kryetari i këshillit është kryeministri, dhe çdo anëtar emërohet nga kryeministri, pra sa herë ndryshon kryeministri ndryshon dhe qasja e ekonomisë së vendit. A e di kryeministri që historia e Shqipërisë nuk nis dhe nuk mbaron me një kryeministër?! Më thoni a mund të prodhojë kjo një stabilitet apo rrugëtim ekonomik afatgjatë për vendin?! Sigurisht që jo. Nisur nga përbërja e KEK-ut çfarëdolloj ndryshimi në këtë ligj që mund të sillni ju, ai nuk mund të rezultojë me ndonjë efekt pozitiv”, tha ajo.

“Nëse ky është Këshill Ekonomik Kombëtar gjithkush mund të jetë anëtar, por JO anëtarët e qeverisë. Struktura të tilla vërehen vetëm në vende diktatoriale dhe jo në ato demokratike, apo vendeve të BE-së”,k përfundoi fjalën e saj deputetja Fatbardha Kadiu.