Deputetja e Durrësit, Edlira Hyseni ishte një ditë më parë pjesë e takimit të delegacionit të Komisionit të Venecias me përfaqësues të opozitës parlamentare. Për DurrësLajm, Hyseni zbardh disa nga detajet e takimit, i cili vjen në një kohë kur një pjesë e vëmendjes mediatike është përqendruar tek nisma e ndërmarrë nga maxhoranca për shkarkimin e Presidentit Meta. Si një nga deputetet që votoi kundër ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar, Hyseni deklaron se shkarkimi i Presidentit në këtë kohë nuk është as prioritet e as nevojë, pasi do të thellonte edhe më shumë vakuumin institucional në një kohë kur Shqipëria është përfshirë prej muajsh nga një krizë e thellë politike.

Duke u ndalur tek çdekretimi i datës 30 qershor dhe dekretimi i 13 tetorit si datë zgjedhjesh nga ana e Presidentit, Hyseni gjykon se vendimet e Metës “kanë qenë në funksion të përpjekjeve të tij për të shmangur përkeqësimin e krizës serioze politike në vend. I kam parë ato si një tentativë e dëshpëruar për të gjetur zgjidhje, aty ku dukej se palët nuk e kërkonin dhe dëshironin më”.

Deputetja vlerëson se marrëdhëniet institucionale duhet të karakterizohen nga një frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi dhe vlerëson se gjuha e moderuar, e përdorur në seancën e Komisionit Hetimor Parlamentar, mund të shihet si një reflektim e vullnet i palëve për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike që ka ngërthyer vendin.

“Unë dëshiroj ta shoh sjelljen korrekte dhe dinjitoze të mbledhjes së djeshme si një ndërgjegjësim dhe vullnet të të gjitha palëve për të gjetur zgjidhje të shpejtë, në interes të të gjithë shqiptarëve”,- thotë ajo.

Një ditë më parë ishit pjesë e takimit që përfaqësuesit e opozitës parlamentare zhvilluan me delegacionin e Komisionit të Venecias. Ku u përqendruan diskutimet?

Po isha pjesëmarrëse në takimin e zhvilluar mes Komisionit të Venecias dhe përfaqësueve të opozitës parlamentare, objekt i të cilit ishte shkëmbimi i opinioneve dhe qëndrimeve tona në lidhje me çështjen e Presidentit dhe mandatin e tij. Biseda u zhvillua si një bashkëbisedim i hapur dhe i lirë, ku secili pati mundësinë të bënte pyetje apo shprehte opinionin personal, por edhe atë të grupit që përfaqësonte. Nga ana e Komisionit të Venecias u tregua më shumë interes të dëgjonin dhe merrnin informacione e këndvështrime të ndryshme dhe shumë më pak pyetje apo reflektime te tyre. Në perceptimin tim, ata janë të përqendruar të analizojnë jo vetëm anën teknike e ligjore të kësaj çështje, por dhe kontekstin e përgjithshëm politik në të cilin ndodhet Shqipëria.

Të hënën, presidenti Meta u paraqit pranë Komisionit Hetimor Parlamentar dhe ndryshe nga sa pritej pati mirëkuptim dhe mirësjellje nga të dyja palët, ndryshe nga qëndrimet e forta të muajve të kaluar. Sipas jush, a ka ndryshuar diçka në sjelljen e kreut të shtetit dhe maxhorancës?

Unë mendoj se mirësjellja dhe bashkëpunimi duhet të karakterizojnë çdo raport institucional dhe individual, përtej përkatësive dhe bindjeve politike në çdo rast. Në një aktualitet ende kompleks dhe të paqartë politik e jo vetëm, ku vendi ynë ndodhet tashmë prej shumë muajsh, unë dëshiroj ta shoh sjelljen korrekte dhe dinjitoze të mbledhjes së djeshme si një ndërgjegjësim dhe vullnet të të gjitha palëve për të gjetur zgjidhje të shpejtë, në interes të të gjithë shqiptarëve.

3 muaj nga data 8 qershor kur presidenti çdekretoi 30 qershorin mund të gjykojmë më ftohtë lidhur me vendimin e presidentit. Në gjykimin tuaj si e vlerësoni vendimin e Presidentit Meta dhe shpalljen e 13 tetorit si datë zgjedhjesh?

Unë kam besuar përherë se vendimet e Presidentit në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, dekretet apo çdekretimet e bëra, kanë qenë në funksion të përpjekjeve të tij për të shmangur përkeqësimin e krizës serioze politike në vend. I kam parë ato si një tentativë e dëshpëruar për të gjetur zgjidhje, aty ku dukej se palët nuk e kërkonin dhe dëshironin më. Padyshim që qëndrimet e Presidentit janë perceptuar jo pak herë si të njëanshme, kur në fakt ai institucion pritet të jetë mbi palët, të jetë përbashkues dhe sigurues i mbrojtjes së interesave të çdo shqiptari, majtas o djathtas. Por mbase në kushte ekstreme, detyrohesh të marrësh masa ekstreme, për të cilat padyshim mban edhe përgjegjësi…

Sipas jush, për çfarë do të shërbejë Komisioni Hetimor Parlamentar ngritur për shkarkimin e presidentit?

Komisioni Hetimor Parlamentar mendoj se shërben për të garantuar respektimin e Kushtetutës, të ligjeve, të institucioneve shtetërore, çdo herë që vihen në diskutim këto shtylla themelore, siç është edhe rasti në fjalë. Organet përkatëse ngrihen dhe funksionojnë për të dhënë përgjigje. Nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën me dekretet apo çdekretimet e tij, nëse e ka bërë atë me qëllim apo i detyruar, nëse ka gabuar shumë apo pak, nëse ka rrezikuar sigurinë në vend apo e kundërta; për të gjitha këto pyetje e të tjera të ngjashme, pritet që ky Komision Hetimor Parlamentar të kryejë një punë të vlefshme duke ruajtur përherë parimet e drejtësisë, objektivitetit, paanësisë dhe vërtetësisë.

Ajo që në fund mbetet e rëndësishme, në gjykimin tim, është që vendi të shkojë drejt përmirësimit dhe forcimit të institucioneve dhe demokracisë, të stabilitetit dhe sigurisë, të besueshmërisë brenda dhe jashtë vendit e të prosperitetit që prej kaq shumë vitesh presim të gjithë!

A është i nevojshëm shkarkimi i presidentit Meta në këtë situatë kur vendi është në ngërç prej krizës politike dhe vakuumit institucional?

Unë kam qenë ndër ata pak deputetë që nuk votuan pro Komisionit Hetimor Parlamentar dhe nisjes së kësaj procedure. Në këtë rast nuk jam për shkarkimin e Presidentit. Nuk e shoh as prioritet, as nevojë e as është momenti për këtë thellim krize institucionesh.

M.B.