“Biznesi durrsak është i frikësuar. Është i frikësuar nga “të fortët”, nga pushteti, nga fushatat anti informalitet. Biznese shumë vjeçare në Durrës rrezikojnë falimentimin. Disa po mendojnë uljen e qepenave”.

Kështu e sheh situatën ekonomike në Durrës, deputetja Edlira Hyseni, e cila për DurrësLajm shprehet se janë një sërë faktorësh që ndikojnë, pasi dhe ekonomia shqiptare ka rënie dhe po përqendrohet në pak duar. Në këtë luftë për mbijetesë i forti e mund të dobëtin dhe për këtë arsye sipas saj kemi një numër të konsiderueshëm biznesesh të vogla që mbyllen apo zgjedhin të emigrojnë. 

“Në Durrës ka një shtrëngim, një përkeqësim të tregut të lirë. Është duke u përqendruar e gjithë ekonomia në pak duar dhe ato biznese që kanë një jetë që funksionojnë tani ndihen të shqetësuar. Edhe ekonomia ka rënie, të gjithë e ndjejmë që kemi më pak lekë në xhep. Në momentin që ekonomia ecën më avash kuptohet që më i forti e “mbyt” të dobëtin”,- thotë Hyseni.

Sipas saj, fushatat e vazhdueshme kundër evazionit fiskal që ndërmerren nga qeveria për të mbushur arkën e shtetit nuk ndihmojnë në përmirësimin e klimës së të bërit biznes. Hyseni thotë se biznesi ndihet i frikësuar dhe në në kohë kur flitet kaq shumë për PPP-të, ofertat e pakërkuara, kncesionet, korrupsionin në tendera etj, privatët nuk priren të vetëdeklarojnë të ardhurat.

“Qeveria duhet të japë pikë së pari shembullin pozitiv në këtë drejtim, në mënyrë që bizneset të mos tremben nga fushatat anti informalitet”,– shprehet ajo. 

M.B.