Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu, ka folur me fakte ndërsa ka akuzuar qeverinë për shkelje të ligjeve të vendit, por edhe të Kushtetutës, duke lejuar koncesionarin të ndërtojë portin në Porto Romano ende pa u miratuar kontrata nga Kuvendit.

Ajo akuzoi praktikën korruptive që ka ndjekur gjatë këtyre viteve qeveria Rama përmes PPP-ve, të cilat në vend që te jenë gjeneratorë të zhvillimit ekonomik të vendit, nuk janë gjë tjetër veçse gjeneratorë të shkatërrimit jo vetëm ekonomik, por edhe mjedisor dhe kulturor.

“Kjo qeveri ka ngatërruar konceptin e zhvillimit me atë të vjedhjes dhe të korrupsionit. Qeveria e shikon projektin PPP-ve si gjenerator vjedhjeje. Jam dakord që format e PPP-ve gjendet kudo në botë, por këto PPP duhet të jenë gjeneratorë zhvillimi dhe jo shkatërrimi”,tha ajo ndërsa foli konkretisht për një shtesë kontrate për konçesionin në Porto Romano Durrës.

Deputetja demokrate tha se “megjithëse qeveria na e paraqet si shtesë kontrate, unë ju sqaroj se kemi të bëjmë me një kontratë tërësisht të re. Ky akt mbart një sërë shkeljesh ligjore. Kompania duhet të kishte përfunduar investimin 18 muaj më parë dhe kjo tregon se kompania është në shkelje të hapur me kontratën duke mos e përfunduar brenda afateve. Në një shtet normal qeveria duhet të kishte shpallur një garë të hapur dhe të kishte çuar për ndjekje penale këtë operator”.

Më tej deputetja vuri në dukje një sërë shkeljesh të tjera të bëra nga operatori dhe për të cilat qeveria nuk ishte në dijeni. “Kështu operatori kërkon të ndërtojë një mur që është shumë ngjitur me një mur romak pjesë e listës së monumenteve kulturore, për të cilën ministria e kulturës nuk ishte në dijeni”.

Një tjetër çështje problematike ishte dhe ndërtimi i hidrovorit për të cilin deputetja citoi ekspertët e ministrisë së bujqësisë duke thënë se ata nuk japin garanci nëse hidrovori mund ta përmbytë apo jo zonën e Kënetës. Kadiu tha se ky operator në bashkëpunim me qeverinë i shkaktojnë shtetit një dëm prej 4.3 milionë eurosh.

“Miratimi i këtij ligji është shkatërrim kulturor, mjedisor por edhe ekonomik për të gjithë shtetin. Në fund dua ta mbyll se operatori aktualisht e ka ndërtuar këtë port për të cilin ne jemi duke folur sot. Kjo do të thotë se qeveria është e kapur në atë pikë dhe është e pamundur të mbrojë interesin publik sepse Gjiknurin e kanë kapur prej hunde abuzuesit e ligjit”, tha ajo.