Pak ditë pas zhurmës së madhe mediatike dhe komenteve të shumta në rrjetet sociale që mori statusi shokues i psikologes Genta Kaloçi, e cila e quajti drejtësi ndarjen nga jeta në moshën 18-vjeçare të djalit të vetëm të shkrimtares Flutura Açka dhe fatkeqësitë njerëzore që kanë pësuar disa figura të njohura të disidencës shqiptare si Visar Zhiti, Spartak Ngjela, Maks Velo etj, ka reaguar edhe deputetja demokrate e Durrësit, Fatbardha Kadiu.

Në një postim në Facebook, Kadiu nënvizon se “Sot më shume se kurrë kundrejt të gjithë atyre që i bëjnë jehonë të shkuarës së turpshme e gjakatare, është momenti për të kujtuar me nderim figura të nderuara që iu kundërvunë me forcë regjimit hoxhist, siç ishte Musine Kokalari”.

Postimi i plotë i Fatbardha Kadiut:

Ditët e sotme po ngrenë krye fantazmat e komunizmit që fërkojnë barkun për humbjen e jetëve të fëmijëve të shkrimtareve dhe të njerëzve që luftuan kundër diktaturës më te egër. 
Sot më shume se kurrë kundrejt të gjithë atyre që i bëjnë jehonë të shkuarës së turpshme e gjakatare, është momenti për të kujtuar me nderim figura të nderuara që iu kundërvunë me forcë regjimit hoxhist, siç ishte Musine Kokalari.
E ç'mund të thuash më parë për këtë grua heroinë. Ajo ishte e fortë si shkëmbi, intelektuale, politikania e parë që iu kundërvu me forcë diktaturës komuniste. 
Megjithë dhunën, vrasjen e vëllezërve, gjyqin denigrues, 20 vitet burg dhe vitet e mëpasme të internimit, Musine Kokalari, deri në frymën e fundit të saj foli kundër regjimit diktatorial hoxhist, që fantazmat që enden kohërave të sotme kërkojnë ta rizgjojnë.
Duhet t’i tregojmë vendin këtyre zërave dhe të përkujtojmë njerëz të nderuar si Musine Kokalari, kjo disidente e përjetshme që jetën e saj ia kushtoi luftës kundër diktaturës dhe jo më kot qe ndër të parat figura që u nderua me në vitin 1993 nga Presidenti i Republikës Sali Berisha me medaljen “Martir i Demokracisë”.