Instituti i Studimeve Politike dhe platforma monitoruese “www.deputetim.al”, bazuar në disa kritere, ka krijuar për herë të parë një standard vlerësimi pozitiv e negativ për punën e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas klasifikimit që është bërë për periudhën shtator-dhjetor 2017, natyrshëm që pas pyetjes se cilët janë deputetët me efektivitet më të lartë, përgjigja do të ishte për ata me përvojë parlamentare, që njohin mirë rregulloren, kompetencat, praktikat e punës dhe që i shfrytëzojnë ato pozitivisht në funksion të punës së tyre etj.

Por nuk ka ndodhur kështu me deputetët e opozitës që mbulojnë qarkun e Durrësit.

Nga 4 deputetë demokratë që fituan mandatin në këtë legjislaturë të re, një prej tyre ulej për herë të parë në karrigen e deputetit. Fatbardha Kadiu, rezulton sipas këtij studimi, të ketë qenë më tepër aktive dhe efikase në detyrën e saj, duke lënë pas emra të vjetër e të njohur të politikës, si Oerd Bylykbashi dhe Edi Paloka. Së bashku me Kadiun, është edhe deputeti Florjon Mima, të cilët spikaten si emrat më aktivë, ku ky i fundit është pozicionuar në vendin e 12-të.

E vetmja grua deputete që përfaqëson zërin e opozitës në Durrës, ia ka dalë që në vetëm 4 muajt e parë të detyrës së saj, të renditet në vendin e 31-të ndër deputetët me efektivitet më të lartë.

Pedagogia Fatbardha Kadiu, bijë e një familjeje të njohur në Durrës dhe e angazhuar në karrierën akademike, ka lënë pas kështu kreun e komanduar të degës së PD-së së qytetit bregdetar, Bylykbashin, si edhe ish-nënkryetarin e PD-së dhe ish-kreun e grupit kuvendor demokrat Edi Paloka, dy figura me kontribut dhe përvojë shumëvjeçare në selinë blu.

Kadiu duket se e ka marrë me seriozitet të madh dhe i ka kushtuar rëndësinë e duhur funksionit të saj, duke shpërblyer kështu besimin që i dhanë votuesit durrsakë. E kemi parë të marrë fjalën në foltore gjatë seancave parlamentare, të diskutojë nëpër panele televizive ku ka qenë e ftuar në televizione të ndryshme, apo edhe të vërë me “shpatulla pas muri” ministrat Ahmetaj e Gjiknuri në mbledhjet e komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Një performancë krejt ndryshe, nga disa deputetë të rinj të cilët nuk e marrin fjalën kurrë në Kuvend, dhe janë gati-gati të panjohur për opinionin publik në masë, edhe pse kanë kaluar një mandat 4-vjeçar.

*Studimi është realizuar bazuar mbi këto kritere: (nisma ligjore 10 pikë, amendimet ligjore 10 pikë, interpelancat 10 pikë, votimi i ligjeve 10 pikë, pyetje adresuar institucioneve 10 pikë, aktiviteti publik 10 pikë, fjalime dhe angazhime në seanca 20 pikë dhe diskutim e angazhim në komisionet parlamentare 20 pikë, pra në total 100 pikë), por edhe duke bërë vlerësimin zbritës negativ (përjashtim nga seancat ose komisionet – 10 pikë, heqje imuniteti apo abuzime financiare në deklarim e përfitim nga -20 pikë, si dhe heqje mandati -20 pikë, në total -100 pikë).

Florjon Mima – vendi i 12-të me 51 pikë

Fatbardha Kadiu – vendi i 31-të, me 43 pikë

Oerd Bylykbashi – vendi i 36-të, me 42 pikë

Edi Paloka – vendi i 90-të me 22 pikë

S.L.