Presidenti Ilir Meta ka dënuar ashpër sulmin që i ndodhi një anëtareje të komunitetit të LGBTI në Shqipëri, Anxhela H. Kjo e fundit u sulmua nga persona ende të paidentifikuar.

Përmes një reagimi në Twitter, Meta i ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin masat dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e sulmit.

“E dënueshme dhuna kundër një anëtareje të komunitetit LGBTI në Shqipëri. Iu bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masat e duhura për zbardhjen e këtij sulmi burracak dhe nxjerrjen para drejtësisë së autorëve”, shkruan Meta.

Lajmi për dhunimin e Anxhelës u bë publik nga Komisioneri për Mbrojtjen kundër Diskriminimit, i cili dënoi sulmin ndërsa i bëri thirrje policisë që të zbardhë ngjarjen.