Durrës, 25 qershor 2014 – Ambasadori i ri gjerman i akredituar në Tiranë, z. Hellmut Hoffmann, këtë të enjte ia kishte caktuar Durrësit. Z. Hoffmann e nisi nga qyteti i Durrësit turin e vizitave zyrtare në një sërë qytetesh shqiptare. Kjo e enjte ishte me të vërtet një e enjte durrsake për ambasadorin Hoffmann, mik i shqiptarëve dhe përfaqësues i një vendi mik tradicional për kombin shqiptar.

Ambasadori në Durrës vizitoi biznese, investime të ndryshme gjermane si psh. ato në fushën e fasonerisë, rrobaqepsinë “Trumpf” në afërsi të Shijakut, fasonistët gjermanë të vendosur në ish kënetë etj. Ai vizitoi edhe fakultetin “FASTIP”, pjesë e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Ky fakultet është një investim eksperimental i përbashkët gjermano-shqiptar me synim të formimit të kuadrove të lartë në shërbim të drejtpërdrejtë të prodhimit.

Përsa i përket politikës lokale, ambasadori Hoffmann anashkaloi si përfaqësuesit e opozitës durrsake ashtu edhe Prefekturën e Këshillin e Qarkut Durrës duke vizituar vetëm Bashkinë e Durrësit. Ai bisedoi kokë më kokë me kryebashkiakun Dako, pa komunikuar me mediat me arsyetimin e një interviste pasdite në televizionin lokal Adrianet dhe më pas nën shoqërinë e kryebashkiakut Dako vizitoi një pjesë të trashëgimisë kulturore të Durrësit si Amfiteatrin romak, Torrën Veneciane, shtëpinë e Aleksandër Moisiut (Muzeun Etnografik), forumin Romak (Rotondën) etj.  Z. Hoffmann në formimin e tij professional është jo vetëm diplomat, por edhe historian, kështu që natyrisht do të kishte një predispozicion të veçantë për historinë e Durrësit 2700 vjecar.

Më pas Ambasadori Hoffmann dhe Kryebashkiaku Dako patën një drekë private në Restorant  “Piazza”. Në këtë ditë durrsake të Ambasadorit nuk kemi të dhëna se është përfshirë edhe inspektimi i investim-koncesioneve gjermane në Portin e Durrësit, koncesione këto, për të cilat ish opozita socialiste ka premtuar se do t’i rishikojë si bëma dhe gjëma të ish-qeverisë Berisha.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/