Në ditën e pavarësisë së SHBA, ambasadorja Yuri Kim ka shpërndarë një mesazh për qytetarët shqiptarë, ku thekson bashkëpunimin dhe lidhjen e ngushtë mes dy vendeve dhe se ky partneritet dhe miqësi nuk do të shuhet pasi SHBA do të vijojnë të qëndrojnë krenare krah jush. Kim thekson dhe rëndësinë e një bashkimi tjetër që po e pret Shqipërinë, atë me Bashkimin Evropian.

“Përshëndetje! Miq të dashur Festimi i Ditës së Pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër. Për herë të parë po përballemi me një pandemi, që nuk ka na lanë të mblidhemi në një çati për të festuar ditëlindjen e 244-t të SHBA. Ndërsa duhet të qëndrojmë të distancuar fizikisht , amerikanët dhe shqiptarët, jemi po aq afër dhe të bashkuar si gjithmonë. Mbetemi të lidhur nga dashuria dhe mbrojtja e lirisë sonë, e pavarësisë sonë dhe vizionit tonë të përbashkët për të ardhmen. Më 17 shtator 1787, anëtarët e Konventës Kushtetuese nënshkruan draftin përfundimtar të Kushtetutës së SHBA-së. 52 fjalët e para të këtij dokumenti, në hyrje të tij janë disa nga më të fuqishme në historinë amerikane. Ata thonë: Ne, populli i Shteteve të Bashkuara, me qëllim që të krijojmë një bashkim më të përsosur, të vendosim drejtësinë, të sigurojmë qetësinë në vend, të sigurojmë mbrojtjen e përbashkët, të nxisim mirëqenien e përgjithshme dhe të sigurojmë bekimet e lirisë për veten tonë dhe për pasardhjen tonë, caktojmë dhe vendosim këtë Kushtetutë të SHBA.

Për dy shekuj e gjysmë, Amerika ka ndjekur atë ëndërr për të formuar një bashkim më të përsosur. Sipërmarrja jonë demokratike ka arritur sukses në një mënyrë unike dhe të pashembullt në historinë e  njerëzimit. SHBA kanë përdorur fuqinë e tyre për të sjellë paqe dhe begati më të madhe jo vetëm për popullin amerikan, por edhe për botën.  Historia e Amerikës është një histori unike suksesesh. Sukses që nuk përcaktohet nga mungesa e dështimeve apo gabimeve, por nga vendosmëria jonë për t’u përballur me çdo dështim dhe gabim dhe për të bërë më të mirën. Me fjalë të tjera, vendosmëria jonë për t’u përpjekur që gjithmonë të formojmë ‘një bashkim më të përsosur”. Dhe i tillë është rasti me miqësinë midis Shqipërisë dhe SHBA. Së bashku ne kemi punuar për më shumë se një shekull për të formuar një bashkim më të përsosur midis kombeve tona. 100 vite më parë SHBA përdorën fuqinë e tyre për të mbështetur një Shqipëri të pavarur e shtruan rrugën që ju t’i bashkoheshit lidhjes së Kombeve në 1920-n. Presidenti amerikan punoi për të promovuar mirëqenien e përgjithshme të shqiptarëve në mënyrë që të gëzonin bekimet e lirisë. Për të siguruar një mbrojtje të përbashkët, Shqipëria u anëtarësua në NATO në 2009-n“, shprehet Kim.