Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një urim mbretit të Suedisë Carl XVI Gustaf me rastin e Ditës Kombëtare të Suedisë teksa uron edhe gjithë bashkëkombasit tanë, të cilët jetojnë në këtë vend.

Meta shkruan në rrjete sociale se Suedia është një vend kampion i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut në botë, ndërsa shpreh bindjen se në saje të vullnetit dhe vendosmërisë sonë të përbashkët, miqësia mes dy vendeve do të vazhdojë të rritet e të forcohet edhe më tej në ardhmen.

POSTIMI I PLOTË

Sot është Dita Kombëtare e Suedisë, një vendi kampion të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në botë.

Ndaj bashkë me urimin zyrtar për Madhërinë e Tij, Carl XVI Gustav, dua të shpreh urimet më të mira për të gjithë bashkëkombasit tanë, të cilët jetojnë në këtë vend si qytetarë të denjë dhe janë faktor i rëndësishëm për forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis vendeve e popujve tanë.

Ne jemi të lumtur që shumë prej tyre kanë arritur majat e suksesit në këtë vend në të gjitha fushat.
Dhe kjo vetëm falë mundësive që ofron demokracia e vërtetë. 

Madhëria Juaj, Mbreti Carl XVI Gustaf,

Më lejoni që me rastin e Ditës Kombëtare të Suedisë t’Ju përcjell edhe në emër të popullit shqiptar, urimet më të sinqerta e të ngrohta!

Kam kënaqësinë t’i shpreh Familjes Mbretërore dhe të gjithë qytetarë suedezë urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë kaq të rëndësishme për Suedinë.

Duke përfituar nga ky rast shpreh vlerësimin për marrëdhëniet miqësore dhe të kahershme mes Suedisë dhe Republikës së Shqipërisë. Jam i bindur se në saje të vullnetit dhe vendosmërisë sonë të përbashkët, kjo miqësi do të vazhdojë të rritet e të forcohet edhe më tej në ardhmen.

Madhëria Juaj,

Teksa pandemia COVID-19 ka goditur mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku me veprime të mirëmenduara e bashkërenduara, me mençuri dhe forcë do ta kapërcejmë këtë situatë, do të rikthehemi në normalitetin e jetës së përditshme dhe do të kemi një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Duke përsëritur urimet e mia më të mira për shëndetin Tuaj si dhe begatinë e Suedisë, ju lutem Madhëri pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë!