Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka komentuar vizitën e pesë viteve më parë të Papa Franceskut në Tiranë, për të cilin thotë se bekoi vendin tonë. 

Duke u ndaluar te situata politike aktuale, Bushati shkruan në Facebook se kriza e vlerave e shoqëruar me veset e jetës politike kanë gërryer jo vetëm besueshmërinë dhe autoritetin moral të jetës publike, por njëherësh kanë vënë në pikëpyetje edhe paqen sociale.

Postimi i Bushatit:

Pesë vite më parë Papa Francesku zgjodhi Shqipërinë, si vendin e parë në Europë për ta vizituar. Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Ati i Shenjtë do të bekonte vendin tonë me fjalët “Paqe në këtë shtëpi”. Që prej asaj dite, shtëpia jonë e përbashkët ka njohur progres shoqëror, por ende të pamjaftueshëm për të konsoliduar besimin dhe shpresën e të rinjve tek e ardhmja. Besimi tek e ardhmja është një element i rëndësishëm për një popull të ri, sepse siç do të theksonte Ati i Shenjtë gjatë asaj vizite: “ku ka rini ka shpresë”.

Kriza e vlerave shoqëruar me veset e jetës politike gërryejne jo vetëm besueshmërinë dhe autoritetin moral të jetës publike por vënë në pikëpyetje paqen sociale dhe rrugën për ndërtimin e një të ardhme të denjë dhe të drejtë. Ndaj, sot më shumë se asnjëherë kemi nevojë për “artizanë të paqes”, që shpresa të mos vritet dhe e ardhmja të jetë e sigurtë. #DitaNdërkombëtareePaqes