Partia Demokratike ka dënuar përmes një deklarate për mediat djegien e automjetit të avokatit Xhafer Meçe në Tepelenë, i cili mban dhe postin e këshilltarit të PD-së në këshillin bashkiak të Tepelenës.

PD i bën thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të arrestojnë e vendosin para ligjit autorët dhe porositësit e këtij akti të shëmtuar kriminal.

"Partia Demokratike dënon me forcë aktin kriminal të zjarrvënies së qëllimshme të automjetit personal të këshilltarit të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tepelenës, z. Xhafer Meçe.

Ne i bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të arrestojnë e vendosin para ligjit autorët dhe porositësit e këtij akti të shëmtuar kriminal.

Partia Demokratike shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për këshilltarin tonë në Bashkinë e Tepelenës z. Xhafer Meçe dhe familjarët e tij."