Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, ku pjesë diskutimi ka qenë vendimi negativ i Këshillit Europian, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur kërkesës së kryedemokratit Lulzim Basha për dorëheqjen pas "JO"-së për negociatat.

Shefi i qeverisë, tha se detyrat mbeten po ato edhe sikur të kishim marrë një "PO" me 18 tetor.

"Çfarë duhet të them unë? Këtu nuk ka asgjë të re. Ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa lëvizur për të dështuar procesin. Nuk ja kanë dalë. Qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Shqipëria nuk kanë arritur të marrin atë që ju takonte si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane. Siç e shikoni dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe ekuivok. Duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë çdo ditë. Kemi rënë të gjithë dakord se kjo nuk ndryshon asgjë në trajektoren strategjike të vendit, PS dhe qeverisë sonë. Ditët në vijim kam një sërë komunikimesh në axhendë me presidentin e Francës dhe  një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshem të procesit. Në aspektin praktik ne jemi të qartë, duhet të vazhdojmë çdo ditë punën. Edhe nëse do të kishim marrë një PO detyrat janë po ato dhe pa atë PO. Të ecim përpara me reformën zgjedhore, brenda vitit të miratojmë rekomandimet e OSBE-ODIHR, të presim plotësimin e Gjykatës Kushtetutese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman që janë të rëndësishme për ne dhe jo Gjermaninë."