Kryeministri Edi Rama inspektoi këtë të shtunë punimet që kanë nisur në Laç nga Turqia për rindërtimin e zonës më të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Gjatë diskutimeve me punëtorët turq nuk kanë munguar dhe batutat e kryeministrit Rama, i cili mes të tjerash i ka thënë njërit prej tyre se “Do e martojmë çunin këtu me gocë nga Kurbini”.

Ndërkohë, një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se për Krishtlindje e Vit të Ri, në fund të 2021-shit, “Laçi do të jetë një qytet që nuk do ta njohin kur të kthehen për festa, ata që jetojnë jashtë tij!”.

“10 kompani shqiptare, kompania turke Albayrak dhe afro 3000 punëtorë janë të angazhuar në kantieret e infrastrukturës, blloqeve të reja të banimit me 727 apartamente të reja, blloqeve ekzistuese që do të rikonstruktohen tërësisht, ujësjellësit të ri, 4 shkollave të reja e 3 rinkonstruksioneve të thella, 2 kopshteve të reja, si edhe spitalit të ri e godinës së bashkisë së re. për Krishtlindje e Vit të Ri Laçi do të jetë një qytet që nuk do ta njohin kur të kthehen për festa, ata që jetojnë jashtë tij!”, shkruan Rama.