Kryetari i PS-së së Tiranës Saimir Tahiri zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e FRESSH-it, në kampingun e Jalës duke u dhënë përgjigje disa pyetjeve me interes për qeverisjen e ardhshme, reformën në drejtësi, administratë, angazhimit të të rinjve në politikë, por edhe nëse ai do jetë sërish ministër i Brendshëm në kabinetin ‘Rama 2’.

Për herë të parë duke folur publikisht për këtë çështje, Tahiri e ka mohuar që të vijë sërish në krye të një prej ministrive më të rëndësishme të vendit, duke theksuar se standardet e vendosura tashmë në Policinë e Shtetit vetëm do të shtyhen para.

“Jo, unë nuk do jem ministër i Brendshëm dhe besoj që çdo punë e ka një fillim dhe një fund. Nuk ka rëndësi sa kohë je në një punë, ka rëndësi çfarë bën gjatë kohës që je. Unë them që u përpoqa të bëj më të mirën time. Besoj që cilido është pasardhësi, do e ketë të vështirë të zhbëjë gjithë atë që u rregullua”, tha ish-ministri.