Çështja e shembjes së Teatrit Kombëtar, është sërish tema e ditës në Komisionin e Medias dhe Edukimit. Në komision sot ka marrë pjesë për të raportuar mbi truallin e Teatrit, Valdrin Pjetri, drejtor i Përgjithshëm i Hipotekave. Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi, ka replikuar me Pjetrin lidhur me informacionin që sipas PD-së, Hipotekat duhet të japin për këtë truall.

Kryeregjistruesi ka thënë se Hipotekat mund të japin informacion vetëm për truallin ku ndodhet toka, jo për tokën private përreth teatrit, pasi sipas Pjetrit, nxjerrja e informacionit cenon të dhënat personale.

Replikat në Komision:

Pjetri: E keni informacionin.

Vokshi: Informacioni i sjellë në komision, i pasaktë.

Pjetri: S’kam patur kohë të sjell informacione të tjera. Sqarojmë se zyra mund të japë informacion vetëm për truallin me pronar shtetin. Për të tjerat, askush s’mund të nxjerrë informacion.

Vokshi: Citimet që ju bëni në ligj s’janë të sakta. Po bazohemi në një ligj specific që është miratuar me votat e mazhorancës. Në bazë të ligjit do ketë specifikime. Kontrolluesi nuk është i detyruar të informojë subjektin. Nëse duhet, ne bëjmë përpunimin e të dhënave dhe të ruajmë konfidencialitetin.

Pjetri: Mbrohen nga ligji për të dhënat personale. Nëse ata japin pëlqimin informacioni jepet.

Vokshi: Justifikimet mbi këto ligje janë të pasakta. Ju nuk keni të drejtë të refuzoni informacionin e klasifikuar. Ju kanë urdhëruar të refuzoni informacionin.