Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nga Vlora gjatë një diskutimi me studentë dhe pedagogë, tha se integrimi i Shqipërisë në Europë nuk mund të bëhet me mashtrime, por vetëm kur ligji të zbatohet njësojë për të gjithë.

Duke iu referuar sanksioneve ligjore të parashikuara në Kodin Penal për vjedhje dhe blerje votash, lideri demokrat tha se po të ishte zbatuar, Vangjush Dako sot duhet të ishte në burg dhe jo kryetar bashkie.

“Kodi penal i Republikës  së Shqipërisë i amenduar pas 17 majit thotë se kush kapet duke vjedhur vota: Vendin e ka në burg. Në vend që ta kemi Vangjush Dakon në burg, sot e kemi kryetar Bashkie. Esenca që e ndan një shoqëri  europiane apo jo evropiane është mënyra se si zbatohet ligji. Dera e Europës nuk hapet me hilera. Do të garantojmë që ligjit aty ku është thyer të kthehet dhe të zbatohet, por do të garantojmë që edhe abuzuesit të gjykohen për shkeljen e kryer. Kjo do të marrë fund, pavarësisht nëse je votues i PD apo i PS-së”, tha Basha.