Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka dhënë një mesazh sot në Ditën Kombëtare të Jetimëve për këtë kategori të shoqërisë.

Në një postim në “Facebook”, Meta apelon që të punojmë për integrimin e jetimëve. Ai thotë se ata duhet të ndiejnë ngrohtësinë e shtetit dhe shoqërisë, ndërsa publikon edhe foton e Strehës së Parë Vorfnore, të ngritur në Shqipëri më 28 Nëntor të vitit 1917 nën mbështetjen e Rauf Ficos, asokohe nënprefekt i Tiranës.

“Ne jemi kombi i Nënë Terezës. Humanizmi dhe solidariteti njerëzor, janë në themel të vlerave tona, me të cilat krenohemi kudo në botë.

Me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve, apeli im është të punojmë e të reagojmë me përgjegjshmëri për integrimin e jetimëve, edukimin e arsimimin e tyre. Jetimët duhet të ndjejnë ngrohtësinë e shtetit dhe shoqërisë dhe të ndihen pjesë e familjes sonë të madhe”, shkruan Kreu i Shtetit.