Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka thotë se Shqipëria është në vend të dytë pas Afganistanit, për numrin e azilkërkuesve dhe se fatkeqësisht po braktiset masivisht nga shqiptarët.

Duka shkruan në Facebook se Shqipëria ndodhet në një krizë të thellë, për shkak të politikave të maxhorancës, e cila është shndërruar në parti –shtet.

POSTIMI I PLOTË

Shqipëria është në vend të dytë pas Afganistanit, për numrin e azilkërkuesve; gjatë 7 viteve të fundit 330 mijë shqiptarë kanë lënë shtëpitë dhe të afërmit e tyre në kërkim të një të ardhme më të mirë. Ndërkohë që ata shqiptarë që kanë zgjedhur të vijojnë jetën e tyre këtu, përballen me një shtet ligjor të rënë, me mungesën e gjykatave më të rëndësishme për ta përcaktuar një shtet demokratik, me një ekonomi në pikiatë dhe me financat publike të menaxhuara si fondacioni ‘Sudja’, sikurse pohohet në Raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Buxhetin Faktik të vitit 2018.

Përballë këtij peisazhi tejet të zi, mazhoranca, e kthyer në parti-shtet, të vetmin shqetësim ka kapjen e Presidencës. Ndonëse kjo përpjekje u hodh poshtë nga Opinioni Final i Komisionit të Venecias, mbetet dëshpëruese mënyra se si aparatura politike e një vendi po përqendrohet te lufta për të kapur një tjetër pushtet, dhe jo te zhvillimi i një shoqërie që ka nevojë ulëritëse për ndryshim.

Java në të cilën kemi hyrë do të jetë përcaktuese për të ardhmen e jetës politike, sociale dhe ekonomike të vendit. Përtej mirëbesimit në vullnetin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, dhe kushteve me të cilat do të diktojnë zgjidhjen e krizës politike, është detyra e secilit prej nesh, si qytetarë, prindër, studentë, punëtorë, sipërmarrës apo fermerë, të reagojmë për të mos qenë thjeshtë figurantë të projekteve që diktohen në Bruksel apo në Tiranë, por të bëhemi bashkëhartues të një kapitulli të ri dhe zbatues të ndryshimit që kërkojmë për Shqipërinë dhe familjet tona.