Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka tha se forca politike që ai drejton duhet të jetë gati jo vetëm për zgjedhjet vendore por edhe për zgjedhje të parakohshme.

Në kuadër të turit për përgatitjet e zgjedhjeve të ardhshme lokale, në një takim me simpatizantët në Durrës, Duka tha se nuk është çudi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Duke iu referuar ngjarjeve të fundit, kreu i  PAA-së tha se situata politike është e tensionuar dhe vazhdimisht po shoqërohet me konflikte siç është ajo e Rrugës së Kombit, Teatrit Kombëtar, deri tek ngjarjet që kanë përfshirë ministrinë e Mbrojtjes. 

Duke u ndalur tek objektivat e Partisë Agrare Ambientaliste, Duka tha se forca që ai drejton synon të përfaqësohet me të paktën dy anëtarë në këshillat bashkiak.

Duke u ndalur në Durrës aty ku dhe kjo forcë politike synon të përfaqësohet me mbi tre këshilltarë, Duka akuzoi kryebashkiakun Vangjush Dako për keqmenaxhim të buxhetit të bashkisë, aspak në dobi të qytetarit.

Gjatë takimit kreu i PAA-së i bëri thirrje simptizantëve që ti bashkohen protestës së opozitës e cila është paralajmëruar se do të mbahet me datë 26 maj.

K.H.