Të rinjtë e FRPD Durrës i janë nënshtruar pasditen e sotme trajnimit “Arti i të folurit në publik”.

Për rreth dy orë, anëtarët e Forumit Rinor të PD Durrës, por jo vetëm, sepse trajnimi ishte i hapur për të gjithë të rinjtë që donin ta ndiqnin, kanë shkëmbyer ide me trajnuesit rreth mënyrës sesi bëhet parapërgatitja përpara një diskutimi publik, strategjitë e trajtimit të një teme në një diskutim publik dhe këndvështrimi praktik dhe akademik i një diskutimi publik.

Të rinjtë kanë ndjekur shpjegimet teorike të dhëna nga dy trajnuesit, ish-deputeti Oerd Bylykbashi dhe pedagogia e UAMD-së, Blerina Reçi dhe njëkohësisht kanë pasur mundësi të bëjnë pyetje mbi temën në fjalë.

Trajnimi është ndjekur nga afër edhe nga kryetari i degës Ferdinand Xhaferaj.

Ky trajnim vjen pas atij të mbajtur 3 javë më parë me temë “Si të ndërtojmë një argument”.