Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvorani në dalje të Prokurorisë pas afro tre orësh ku u mor në pyetje pas padisë së bërë ndaj tij nga Presidenti Ilir Meta, tha se dëshmoi për faktet dhe rrethanat që kanë ndodhur.

“Unë dola përpara prokurorëve siç e ka detyrim cilido, kam shpjeguar faktet e rrethanat si kanë ndodhur që prokuroria ka autoritetin për ti verifikuar. Unë jam gjyqtar e s’mund të jem gjithë kohën në media, e kam dhënë qëndrimin tim por s’ka rëndësi çfarë mendoj unë, madje mund të them se s’ka rëndësi as çfarë mendon presidenti, tani është prokuroria që do bëjë verifikimet dhe në përputhje me ligjin do vlerësojë dhe më pas gjyakta nëse do jetë rasti i gjykatës. Prokurorët janë duke kryer verifikimet dhe unë s’kam asnjë autoritet të pengoj hetimin.”

Lidhur me publikimin e videos nga Presidenti Meta, Dvorani tha se “hetimi nuk zhvillohet në media as televizione po në godinë, aty kam thënë të gjitha. Kam dhënë shpjegime sepse unë mendoj që nuk ka nevojë të paraqiten prova, por i takon prokurorisë të vendosë çfarë provash të marrë dhe kjo është në autoritetin e tyre.”

I pyetur nëse do bëjë kallëzim për Metën, ai tha se nuk është në garë me askënd, “nuk llogaris askënd, nëse ligji e Kushtetuta më imponon ta bëj një gjë të tillë do ta bëj”.