Rudina Hajdari, bashkëkryetarja në komisionin e reformës zgjedhore, ka deklaruar se mazhoranca dhe opozita jashtë parlamentare kanë arritur dakordësimin për dyfishim të buxhetit të partive politike.

Hajdari ka theksuar se këto para vijnë nga taksat e qytetarëve, ndërsa thekson se duhet të kontrollohen shumat e parave që jepen nga subjekte private.

“Sot pati disa diskutime. Fokusi im ka qenë ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe sot solla ligjin për referendumet, që do të jemi në gjendje të diskutojmë në javët në vijim. Sa i përket financimit të partive politike, pati disa debate dhe mesa kuptova unë, kishte marrëveshje paraprakisht midis tyre, sa i përket dyfishimit të buxhetit të partive politike në thithjen e fondeve, të marrin më shumë para gjatë zgjedhjeve. Për mua, kjo ishte e pakuptimtë. Këto para vijnë nga taksat e shqiptarëve. Unë nuk kam qenë kundër sistemit miks të financimit, por duhet të kontrollojmë lekët që vijnë nga privati. Ne duhet të jemi më transparentë dhe më kërkues ndaj partive që kërkojnë dyfishim të buxhetit. Unë nuk dua që barra të bjerë te qytetarët shqiptarë”, u shpreh Rudina Hajdari.