Nuk arriti të thyente dot herësin për t’u bërë pjesë e parlamentit të ardhshëm por mundi “të thyejë” figura të vjetra të Partisë Demokratike dhe aleatëve me votat e marra në zgjedhjet e të dielës së kaluar.

Bëhet fjalë për mjeken Manjola Luku, që ndonëse renditej e 9-ta në listën e demokratëve siguroi 6108 vota, duke u bërë kandidatja e dytë më e votuar nga PD.

Ky fakt e ka prekur thellësisht Lukun, e cila përmes një postimi në Facebook ka falenderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë fushatë, i kanë hapur dyert e shtëpive duke e bërë të ndihet e mirëpritur kudo.

Ajo shkruan se këtë rrugë e nisi me besim të madh se do të sillnin ndryshimin, por sipas saj, makineria elektorale e Rilindjes i pengoi në të gjitha mënyrat.

POSTIMI I PLOTË

Ndihem thellësisht e prekur nga mbështetja e madhe që kam marrë jo vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit, por çdo ditë të fushatës sime elektorale nga të gjithë ju MIQ të mi. Me mijëra mesazhe dhe urime të marra prej jush gjatë këtyre ditëve, më mbushin me shpresë se E MIRA do të triumfojë mbi TË KEQEN.

Një falenderim i madh shkon për të gjithë ju që më hapët dyert e shtëpive tuaja, që më bëtë të ndihem e mirëpritur dhe e respektuar kudo që ju takova. Mirënjohje për secilin nga ju që mu bashkua në këtë rrugëtim politik dhe ndau me mua sfidën për të ndezur ditën e shpresës për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë.

Mirënjohëse pa fund ndaj të gjithë komisionerëve dhe numëruesve që pavarësisht lodhjes dhe punës me orare të zgjatura mbrojtën çdo votë të hedhur në kuti.

E nisëm këtë rrugëtim me besimin e madh se do të mund të sillnim ndryshimin, por makineria elektorale e Rilindjes na pengoi në të gjitha mënyrat e mundshme.

Pavarësisht presioneve dhe shitblerjes së votës, ju me votën tuaj dhe me mbështetjen tuaj më provuat se kur bëhemi bashkë ne jemi shumë më të fortë, sesa çdo lloj tentative për të na përkulur vullnetin e patundur në bindjen tonë.

Qofshi të bekuar MIQ të mi, SFIDA të tjera na presin!

Ndihem thellësisht e prekur nga mbështetja e madhe që kam marrë jo vetëm gjatë këtyre ditëve të fundit, por çdo ditë të…

Posted by Manjola Koni Luku on Thursday, April 29, 2021